Arsenali raportohet se ka hapur bisedimet me Leipzigun për transferimin e Benjamin Seskos, teksa po synojnë të përforcojnë skuadrën pas një tjetër sezoni pa trofe.
Sipas Sky Sports Germany, drejtori sportiv i Leipzigut, Marcel Schafer, ka filluar bisedimet me Andrea Bertan – drejtorin sportiv të Arsenalit, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme.
Me Leipzigun që ka nevojë për para pasi dështuan të kualifikohen në Ligën e Kampionëve, klubi gjerman pritet të jetë i hapur ndaj ofertave për shitjen e yllit slloven.
Kontrata e Seskos përfshin një klauzolë lirimi, ku sipas raportimeve klubi po synon të fitojë 80 milionë euro nga shitja e tij.
Marrëveshja aktuale e sulmuesit skadon në qershor të vitit 2029 dhe kjo e vendos Leipzigun në një pozicion të favorshëm për të negociuar.
Sesko ka bërë 32 paraqitje në Bundesliga, duke shënuar 13 gola dhe duke bërë pesë asistime.
Kombinimi i tij i shpejtësisë, aftësisë për të fituar duele në ajër dhe aftësitë teknike, e kanë bërë atë një opsion atraktiv për Artetan i cili dëshiron më shumë dinamikë në vijën e sulmit të ‘Topçinjve’.
Teksa Sesko duket të jetë prioriteti kryesor i Artetas, Arsenali mbetet aktiv në disa fronte pasi po synojnë të bëjnë disa përforcime në fazën ofanzive.
Klubi londinez po e monitoron gjithashtu edhe Viktor Gyokeres, me sulmuesin suedez që do të jetë në dispozicion për shitje për 60-70 milionë euro.
Ambiciet e Arsenalit mbeten të lartë dhe transferimi i një sulmuesi të kalibrit botëror po shihet si nevojë për të konkurruar për trofe