Paditësi Bejtullah Cena dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve “BKS”, kanë arritur marrëveshje gjyqësore për kompensimin dëmit në shumën prej 1 mijë e 360 euro.
Një marrëveshje e tillë gjyqësore është arritur në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë seancë, pas një konsulte në mes të përfaqësuesit të paditësit, avokatit Dardan Morina dhe përfaqësueses së të paditurës Olumbie Halili, me qëllim që të mos krijojnë shpenzime të tjera dhe meqenëse siç u tha, baza juridike nuk është kontestuese, palët ndërgjyqëse vendosën që të arrijnë marrëveshje gjyqësore.
Pas deklarimeve të palëve, gjykatësi Betim Behluli tha se me këtë marrëveshje gjyqësore obligohet e paditura “BKS” që të dëmtuarit, në emër të kompensimit të dëmit për të gjitha kategoritë e dëmit material dhe jo material, t’ia paguajë shumën prej 1 mijë e 100 euro, si dhe shpenzimet procedurale në shumën prej 260 euro.
Lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes së arritur, dy përfaqësuesit deklaruan se nuk kanë vërejtje.
Pas kësaj, gjykatësi Behluli, njoftoi palët se kjo marrëveshje gjyqësore tashmë ka marrë formën e prerë të aktgjykimit.
Ndryshe, me padinë e parashtruar me 12 nëntor 2021, paditësi Bejtullah Cena kishte kërkuar nga e paditura, Byroja Kosovare e Sigurimeve “BKS”, kompensimin e dëmit në vlerë prej 1 mijë e 500 euro.
Në emër të dëmit jo material dhe material paditësi kishte kërkuar shumën prej 1 mijë e 500 euro, me kamat ligjore prej 8%, si shpenzimet e procedurës.
Sipas padisë, me datë 20 gusht 2021 në rrugën “Xhelal Hajda” Rahovec, ka ndodhur aksident komunikacioni, ku deri te aksidenti kishte ardhur si pasoj e lëshimeve të vozitësit të automjetit “A” i cili nuk e ka siguruar automjetin ( i cili pas pak fillon të ec vet) ku fillimisht aksidentinë automjetin “B”, duke vazhduar dhe përplaset në lokalin “Frizer D.P.Z Meshnet”, si dhe butikun “Ilirjana”, ku dëme kanë pësuar dy lokale dhe tre persona kanë pësuar lëndime.
Në padi thuhet se automjeti “A”, si shkaktar i aksidentit, në momentin e aksidentit ka pasur të kontraktuar policën e sigurimit kufitarë.
Andaj përgjegjësia juridiko-civile për kompensimin e dëmit bie mbi “BKS”-në./BetimipërDrejtësi./