Lajme
Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në masakrën e Dubravës
Demokracia
17:52 | 02 Dhjetor 2022

Share:

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se sot është arrestuar një person kosovar i nacionalitetit serb, i dyshuar për Krime Lufte në Kosovë, përkatësisht në masakrën e Dubravës në maj 1999.

Në njoftimin e PSRK-së thuhet se në kuadër të hetimit për vrasjet dhe keqtrajtimet e të burgosurve në Burgun e Dubravës, gjatë luftës në Kosovë, ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimit kundër të pandehurit G.M.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se, gjatë ditës së sotme është arrestuar një person, mashkull, kosovar i nacionalitetit serb, G.M., si i dyshuar për Krime Lufte në Kosovë, konkretisht në masakrën e Dubravës në maj të vitit 1999. Prokuroria Speciale njofton se në kuadër të hetimit për vrasjet dhe keqtrajtimet e të burgosurve në Burgun e Dubravës, gjatë luftës në Kosovë, ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimit kundër të pandehurit G.M. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka keqtrajtuar fizikisht të burgosurit e atij burgu si dhe ka marrë pjesë në vrasjen e një numri të madh të të burgosurve gjatë muajit maj të vitit 1999”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i ka caktuar të pandehurit G.M. paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj.

Të ngjashme