Lajme
Arrestohet një burrë në Prishtinë, inskenoi rrëmbimin e tij duke i kërkuar para familjes
Demokracia
19:19 | 04 Maj 2025

Share:

Një person, rreth 45 vjeç, është arrestuar në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë, si i dyshuar se e ka inskenuar rrëmbimin e tij.

Policia tha se familjarë të tij të dielën kanë bërë denoncim se ai është rrëmbyer nga persona të panjohur, të cilët u kanë kërkuar para.

“Të dielën familjarët kanë denoncuar në polici se, që nga data 30.04.2025, familjari është rrëmbyer nga persona të panjohur dhe nga ajo kohë nuk kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me të. Sipas denoncimit, rrëmbyesit e pretenduar, përmes mesazheve të dërguara kanë kërkuar një shumë të caktuar të parave, në këmbim të mirëqenies së viktimës. Menjëherë pas denoncimit, specialist nga njësia e hetimeve të përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve të koordinuara policore, rreth orës 13:00, është arritur të lokalizohet vendndodhja e viktimës së pretendua, mashkull, rreth 45 vjeç, i cili është gjetur i vetëm në një veturë në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë”, thotë Policia.

“I njëjti është shoqëruar për intervistim në stacionin policor dhe pas verifikimeve të kryera, është konstatuar se nuk kemi të bëjmë me veprën penale të rrëmbimit”.

Policia thotë se “personi në fjalë vetë kishte dërguar mesazhet kërcënuese drejt familjes me qëllim të sigurimit të një shume të caktuar parash për përfitime personale”.

“Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për ndjekjen ligjore të personit në fjalë, për veprimet mashtruese dhe për shqetësimin e shkaktuar familjes dhe institucioneve ligjzbatuese”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që të shmangin deklarimet dhe veprimet mashtruese të cilat jo vetëm që keqpërdorin burimet institucionale, por edhe shkaktojnë panik të panevojshëm”.

Të ngjashme