Besim Zeqiri i njohur me nofkën “Kaça” është dërguar në paraburgim pas arrestimit të tij i cili u bë fundjavën e kaluar.
‘Kaça’ ishte në kërkim nga organet e rendit që nga tetori i vitit të kaluar nën dyshimet për kontrabandë me mallra në veri të Kosovës.
Valon Preteni, zëdhënës në Prokurorinë e Mitrovicës, ka thënë për kallxo.com se ndaj Zeqirit është caktuar edhe masa e paraburgimit.
I njëjti është arrestuar, prokuroria ka bërë kërkesë për paraburgim dhe i është caktuar masa për një muaj”, tha Preteni për “kallxo“.
Besim Zeqiri ishte njëri nga pesë personat për të cilin Policia e Kosovës në tetor të vitit të kaluar kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij.
Ai dyshohej se merrej me kontrabandë me mallra të cilat hynin nga Serbia në Kosovë në mënyrë të paligjshme. ‘Kaça’ tashmë është person i njohur për Policinë e Kosovës.
Ai në vitin 2018 ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për disa vepra penale pas disa vitesh të qëndrimit në arrati, por më pas ai ishte liruar.
Ndërsa, së në muajin gusht të vitit 2021, ai i ishte arratisur Policisë së Kosovës dhe ndjekja e tij ishte bërë në Zveçan. Gjatë ndjekjes së tij ishin lënduar edhe disa zyrtar policor.