Lajme
Arrestohet edhe një i dyshuar për rastin “Brezovica”, ishte duke kaluar kufirin në Vërmicë
Demokracia
16:44 | 01 Qershor 2022

Share:

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh edhe një të dyshuar tjetër për rastin “Brezovica”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se i dyshuari që është ndaluar është me inicialet R.M., dhe dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit”

“I njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marr rreth shtatëdhjetë (70.000) mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës. Po ashtu, vlen të theksohet se i njëjti R.M., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022. ku, me ç’rast  janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë (6) lokacione të ndryshme, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa, sot, është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit do të paraqesë edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme