Një 61-vjeçar nga Tirana, i cili hiqej si zdrukthëtar, ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi iu gjetën në shtëpi rreth 4 mijë objekte të dyshuara si të vjedhura.
Objektet që dyshohet se janë vepra arti, objekte etnografike, të artit pamor, libra dhe skrivane u gjetën në shtëpinë e Artan Koçiut, i cili e kishte kthyer banesën e tij në një thesar të vërtetë arti.
Siç duket edhe nga pamjet, banesa e tij është e tejmbushur me objekte të rëndësisë së veçantë. Veprat janë të karakterit fetar, por edhe kulturor dhe sipas policisë një pjesë janë blerë në tregun e zi dhe të tjerat janë vjedhur në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoninë e Veriut dhe dyshohet se kapnin vlerën e 8 milionë eurove.
Hetimet kanë zgjatur disa javë e më pas është dokumentuar vjedhja e objekteve.Koçiu do të përballet me veprat penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, si dhe trafikimi i tyre.
Zbulimi i 4000 veprave të artit ka vënë në lëvizje edhe Ministrinë e Kulturës, e cila tha se do bëjë inventarizimin e veprave dhe kategorizimin e secilës prej tyre nëse janë pjesë e trashëgimisë kulturore.