Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje të rëndë në Podujevë.
Sipas njoftimit të policisë nga hetuesit policor të stacionit të Podujevës, janë arrestuar tre persona të moshës 17 vjeçare, për të cilët ekziston dyshimi se janë të përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë, që ka ndodhë në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, shkruan Demokracia.com.
Policia e Kosovës më tej ka thënë se rasti i vjedhjes ka ndodhur më 31 tetor të vitit të kaluar.
“Rasti i vjedhjes ka ndodhur me datën 31.10.2020, ku personat e dyshuar, kanë arritë që me forcë të marrin nga viktima (femër) një çantë dore, (ku kishte një shumë të parave, dy telefona, si dhe dokumentet personale etj.). Organizimi i mirë i punës së hetuesve policor të Podujevës, ka mundësuar arrestimin e tre personave të dyshuar, që të tre të moshës 17 vjeç. Pas intervistimit personat e dyshuar me autorizim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Më tej në njoftimin e policisë thuhet se bazuar në të gjeturat e deritanishme nga hetuesit policor, dyshohet se personat e njëjtë janë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të natyrës së njëjtë./Demokracia.com/