Aktivisti rus i opozitës, Vladimir Kara-Murza, është dënuar me 25 vjet burgim për “tradhti” dhe akuza të tjera në lidhje me kritikat ndaj luftës në Ukrainë.
Vladimir Kara-Murza ka folur më herët në një intervistë për gazetën serbe “Nova” për përgjimin e opozitës ruse në Beograd, në të cilin ndër të tjera ka qenë i përfshirë edhe ministri i atëhershëm i Policisë tani kreu i inteligjencës serbe, Aleksandar Vullin.
Ai në këtë intervistë ka treguar në detaje se si është përcjell nga pjesëtarët e policisë serbe, duke theksuar se edhe kolegët e tij kanë qenë në përcjellje të vazhdueshme gjatë qëndrimit në Beograd, ku kanë mbajtur një takim me përfaqësuesit e opozitës lokale nga Rusia.
“Edhe kur morëm me qira një varkë për shëtitje nëpër Danub, një varkë tjetër na ka ndjekur gjatë gjithë kohës. Madje për ne ishte qesharake, por tani e shohim se është bërë me qëllim dhe e kanë bërë shërbimet serbe në mënyrë që ministri serb Vullin të tregohet si qeni besnik i sekretarit të Putinit, Patrushev. Të gjitha bisedat tona në mbledhje ishin regjistruar. Më lejoni të them se shpresoj se Vullin dhe Patrushev kanë mësuar diçka nga këto përgjime të tyre. Një javë pas takimit tonë, Vullin ka udhëtuar në Moskë dhe personalisht i ka dorëzuar transkriptet e bisedave tona Nikolai Patrushevit dhe në fund të të njëjtit muaj u arrestua miku im, kolegu dhe bashkë organizatori i takimit në Beograd, Alexei Pivovarov”, kishte deklaruar ai në intervistë.
Avokati sheh lidhje mes përgjimeve dhe arrestimit
Një nga ligjëruesit nga takimi i opozitës ruse në Beograd, avokati Dimitrij Zahvatov, ka konfirmuar për “Nova.rs” se ata janë përcjell gjatë qëndrimit në Serbi. Ai ka siguruar për këtë portal fotografi dhe video të personave përgjegjës për përcjelljen e tyre. Ai ka shtuar se është i bindur se arrestimet e Pivovarov-it dhe më pas Kara-Murza-s ishin të lidhura me ngjarjet në kryeqytetin e Serbisë.
“Është e qartë se pasojë e këtij aksioni të përbashkët është arrestimi i Andrej Pivovarov. Ai u arrestua dy javë pas kthimit tonë nga Serbia dhe pasi Aleksandar Vullin ia dorëzoi transkriptet e bisedave tona të përgjuara Nikolai Patrushev-it, Sekretarit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë. Jam i bindur se pas ardhjes së Vullinit në Moskë Patrushev ka urdhëruar që shërbimet t’i qërojnë hesapet me politikanët opozitarë, në radhë të parë me Pivovarovin dhe Kara-Murza-n.
“Ata të dy ishin nën vëzhgim intensiv, shërbimet monitoruan praktikisht të gjitha aktivitetet e tyre, prandaj them se është e qartë se Pivovarov është arrestuar sepse Vullin ia ka çuar Nikolai Patrushevit përmbajtjen e bisedave të përgjuara. Por edhe Vladimir Kara-Murza u arrestua kryesisht për këtë shkak, përcjell Paparaci.
Mbrojtja qesharake e Vullinit
Ministri i atëhershëm i Policisë (dhe tani drejtor i BIA-s) Aleksandar Vullin, pas shkrimit në gazetën “Nova” për përgjimet e politikanëve rusë, u shpreh në stilin e tij dhe i quajti “gënjeshtarë” opozitarët rusë.
“Çdo budalla mund të ketë një mendim, ashtu si çdo spiun mund të paraqitet si një punonjës humanitar apo aktivist i çfarëdo lloji”, kishte thënë Vullin në atë kohë.
Megjithatë, historia e përgjimit pati një epilog kontrovers, duke pasur parasysh se më vonë u zbulua përmbajtja e transkriptit të takimit të ministrit të atëhershëm serb të policisë (Aleksandar Vullin) dhe sekretarit për sigurinë kombëtare të Rusisë, Nikolai Patrushev.
Në transkriptin e bisedës thuhet se Vullin dhe Patrushev kanë biseduar për aktivitetet e Grupit të tyre të Punës kundër revolucioneve të ngjyrosura dhe se Vullin i ka shpjeguar partnerit të tij rus se ishte i njohur me aktivitetet e organizatës “Rusia e Hapur”, për të cilën ka thënë se ajo e ka mbështetjen e Perëndimit dhe se “është duke vepruar kundër interesave ruse”.
Në fund, përkundër faktit se opozitarët rusë ishin nën vëzhgim të pjesëtarëve të inteligjencës serbe, nuk ka ndonjë reagim i autoriteteve serbe, përveç reagimit të vonuar të Vullinit, i cili me skenarin e njohur të tij të “ulurit dhe të akuzojë dikë se është gënjeshtar”, nuk ka dhënë ndonjë informacion specifik për vetë rastin.