Lajme
Arrestimi me drogë i asamblistit të VV-së në Tiranë | Kurti premtonte bashkim kombëtar të shqiptarëve, përfundoi me bashkim të kriminelëve
Demokracia
17:40 | 15 Gusht 2023

Share:

Mund të shkruhet një libër me qindra faqe vetëm për premtimin e Albin Kurtit për bashkimin kombëtar gjatë kohës kur ai ishte në opozitë.

Natyrisht se kapitulli i fundit i atij libri do të ishte zhgënjyes për të gjithë ata që do ta merrnin mundimin për ta lexuar deri në fund, sepse do të përfundonte duke e parë Kurtin të dorëzohet jo përballë një neni të plotë, por vetëm para pikës 3 të nenit 1 të Kushtetutës së Kosovës, që thotë se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.”

“Kundër bashkimit kombëtar është elita provincialiste, njerëz të vegjël që duan të duken të mëdhenj, njerëz që për t’u rritur vetë duan ta zvogëlojnë atdheun tonë”, bërtiste me gjithë fuqinë e zërit opozitari Albin Kurti, më 28 nëntor 2016.

Por, kur u bë kryeministër, sikur mos ta kishte lexuar kurrë më parë Kushtetutën e Kosovës, ai me qetësi filloi të tregonte për nenin 1.3 të saj, që na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. E atë që nuk e bëri me kufijtë, me pretendimin se nuk e lejon Kushtetuta, Albin Kurti dhe partia e tij po e bëjnë në një formë tjetër, duke i bashkuar kriminelët e të dyja vendeve, shkruan Demokracia.com.

Sot, Policia e Shtetit, kapi me mbi 11 mijë doza ekstazi një grup të shqiptarëve, nga Kosova e Shqipëria, mes tyre edhe asamblisti i Kurtit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Besnik Mujeci. Vlera e esktazisë është mbi 400 mijë euro, derisa Mujeci në shumicën e postimeve të tij në Facebook sillej si patriot dhe nuk hezitonte që nëpër emisione të mbante leksione nacionalizmi.

Kjo duke kritikuar tifozët e Kosovës “Dardanët” për një pankartë që e kishin shpalosur vite më parë ku shkruante “Kosova është Kosovë”.

Mujeci e kritikonte edhe flamurin e Kosovës, duke thënë se po zhduket identiteti për një flamur me ylla.

“E paske tradhëtu betimin tënd o vëlla, se ti je betu me i bashku krejt trojet shqiptare. Tash jeni ndalë në gjys, keni kriju identitet të ri. Më kish ardh marre me thanë jam kanë në UÇK. Së pari është projekt politik, që po mundohet me imponu shumicën e shqiptarëve me pranu, me na kriju identitet të ri. Kosovo is Kosovo nuk ka qenë kurrë”, thoshte Mujeci në emisionin Komiteti.

“Unë jam përfaqësues i Plisave. Asnjë se kemi primare LDK-në. Kosovo is Kosovo ka qenë kulminacioni i poshtërsisë. 2 mijë vjet po e rujna identitetin, për një javë po e shesim për një flamur me ylla a? Kjo është tradhëti?”, deklaronte ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme