Lajme
Arrestimi i Molliqajt, Ahmeti: Aktivistët e PSD-së po përndiqen me zell, ministrat as nuk ftohen
Demokracia
23:35 | 17 Prill 2025

Share:

Zyrtari e Partisë Socialdemokrate, Bardh Ahmeti sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur në lidhje me arrestimin e kryetarit të kësaj partie, Dardan Molliqaj.

Ahmeti u shpreh se Molliqaj është arrestuar nga Njësiti i Reagimit të Shpejtë dhe sipas tij, për ta kjo gjë ka qenë e pashpjegueshme.

“Dardan Molliqaj është arrestuar me një prej njësive më elitare që është në Policinë e Kosovës, është arrestuar nga Njësiti i Reagimit të Shpejtë dhe për ne ishte komplet e pashpjegueshme, pse duhet dikush që është duke ecur në qytet, duhet me u arrestu me një formë jashtëzakonisht të madhe të policisë”.

“Në anën tjetër, kur ka shkuar në Gjykatë, Dardan Molliqaj, bashkë me avokatin e tij, Dren Kukajn, aty është vërtetuar që z.Molliqaj nuk ka pranuar kurrë ftesë për atë seancë dhe madje Dardan Molliqaj pikërisht dje ka qenë në Gjykatën Themelore të Kosovës për një rast tjetër, ndërkohë që në komunikatat e policisë thuhet se ky ka urdhër-arrest që tri ditë”, është shprehur ai.

Ahmeti gjithashtu tha se aktivistët e PSD-së po përndiqen me zell, ndërkaq sipas tij, ministrat as nuk ftohen ose edhe kur ftohen, sipas tij, nuk marrin pjesë.

“Ajo që ne e kemi ngritur edhe si pyetje edhe si dyshim është që si ka mundësi që pikurish zyrtarët e PSD-së, aktivistët e PSD-së po përndiqen me një zell tepër të madh, ndërkohë që kemi ministra në qeverinë aktuale, e të cilët në të njëjtat raste as nuk ftohen, ose edhe kur ftohen nuk marrin pjesë, nuk ka urdhër-arrest për ta”.

“E pamë së fundmi kryeministrin Kurti, i cili refuzoi me iu përgjigj ftesës së Prokurorisë, ndërkohë që u dënua me 250 euro, ndërkaq për Dardan Molliqajn, i cili as ftesë nuk merr, i dërgohet Njësia për Reagimin e Shpejtë për ta arrestuar”.

“Për neve është e qartë që ky është një presion politik dhe një tendencë me i tregu forcat e pushtetit, ndërkohë që pyetja që kemi bërë vazhdon të qëndrojë: Cila është arsyeja që ka një zell kaq të madh në raport ne zyrtarët e PSD-së, ndërkohë që po heshtet ose po mënjanohen zyrtarët që janë në partinë në pushtet”.

“Ajo çka kemi kuptuar është se është për rastin i cili ka qenë në protestën të cilën ne e kemi organizuar para 2 vitesh për shtrenjtimin e energjisë elektrike, madje duhet të themi se është rasti i vetëm në të cilin z.Molliqaj del edhe shpreh keqardhjen e tij për ngjarjen dhe ka shprehur gatishmërinë që kurdo që ka seancë, madje pikërisht avokati Dren Kukaj e ka konfirmuar me gjyqtaren e rastit, që kurdo që ka seancë dhe ka ftesë për këtë çështje, z.Molliqaj është gati të shkojë edhe në Gjykatë, ta pranojë të njëjtën gjë që e ka pranuar edhe publikisht, pra ka shprehur keqardhje publikisht”, u shpreh tutje Ahmeti.

Të ngjashme
Lajme • 19 Prill 2025