Lajme
Arrestimet në Morinë, Çuçi: Të vendosur për pastrimin e policisë shqiptare nga punonjësit e korruptuar
Demokracia
14:27 | 08 Prill 2022

Share:

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar sot pas një vale arrestimesh të punonjësve të policisë të Shqipërisë dhe Kosovës në përmbyllje të një aksioni të përbashkët policor në lidhje me korrupsionin e ushtruar në doganë.

Çuçi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka përgëzuar agjencinë shqiptare të Mbikëqyrjes Policore për hetimin profesional që çoi në pranga dhjetëra punonjës policie të pikës kufitare në Morinë, përcjell Demokracia.com.

“Përgëzime Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (ish SHÇBA) për hetimin profesional që çoi në pranga dhjetra punonjës policie të Pikës Kufitare në Morinë. Ishte një hetim model për ndëshkimin e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Jemi të vendosur për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjësit e korruptuar, për të cilët s’ka vend në radhët e kësaj trupe”, ka shkruar Çuçi.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë të ditur detaje nga operacioni i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës në pikën kufitare të Morinës.

Në njoftimin për mediat, SPAK deklaron se procedimin penal për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ka filluar mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”./Demokracia.com/

Të ngjashme