Sport
“Armiq” për një ditë, “Legjionarët” sfidojnë kampionët e Evropës në “ferrin” gjerman
Demokracia
13:30 | 15 Qershor 2024

Share:

Pritjes i erdhi fundi. Kombëtarja e Shqipërisë përshkoi edhe metrat e fundit deri në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit, ku në orën 21:00, “Legjionarët” e udhëhequr nga Sylvinho do të japin premierën e tyre në finalet e Euro 2024, me ndeshjen kundër Italisë.

Të besuarit e teknikut brazilian prekën tapetin e impiantit për seancën e fundit stërvitore në prag të sfidës së parë në Grupin B, kundër kampionëve në fuqi të Evropës. Përgatitjet ishin thjesht për t’u ambjentuar me fushën, pasi siç ka bërë gjithmonë, Sylvinho nuk zbuloi asgjë sa i përket formacionit dhe taktikës që do të përdorë në sfidën kundër Italisë.

Atë do ta bëjë vetëm para ndeshjes, kur do të shuajë përfundimisht edhe dilemat e fundit. Një prej tyre është në portë, ku Berisha duket më i favorizuar në balotazhin me Strakoshën. Po ashtu, Syvlinho duhet të zgjedhë mes Ismajlit dhe Ajetit në qendër të mbrojtjes. Një tjetër dilemë lidhet me skemën.

Nëse ajo do të jetë e preferuara e teknikut 4-2-3-1, atëherë gjithçka është e zgjidhur, me Mitaj, e Hysaj në krahë të repartit difensiv. Asllani dhe Ramadani në qendër të mesfushës, Bajrami si “regjizor”, ndërsa Seferi e Asani në krahë, me Brojën majën e sulmit.

Mirëpo, nëse tekniku brazilian vendos të ndryshojë si në pjesën e dytë të miqësores së fundit kundër Azerbajxhanit, atëherë moduli do të kthehej në 4-3-3, duke shtuar një mesfushor, në vend të Seferit. Zgjidhje janë Laçi dhe Abrashi.

Të gjitha këto dyshime do të zgjidhen kur të publikohet edhe formacioni zyrtar, por sido që të jetë, më shumë se skemat në ndeshje të tilla vlen shpirti dhe dëshira. “Kuqezintë” kanë treguar se i kanë, ndërsa në tribuna do të kenë shtytjen e lojtarit të 12-të, ku tifozët, që pritet të jenë rreth 50 mijë në stadiumin e ndeshjes.

Të ngjashme
Sport • 20 Qershor 2024
Sport • 20 Qershor 2024