Talebanët thuhet se morën nën kontroll rreth një milion armë dhe pjesë të pajisjeve ushtarake kur rimorën kontrollin e Afganistanit në vitin 2021.
Gjysmë milioni armë të marra nga talebanët në Afganistan janë humbur, shitur ose u janë kontrabanduar grupeve militante.
Kështu kanë bërë me dije burime për median britanike BBC.
Talebanët morën nën kontroll rreth një milion armë dhe pjesë të pajisjeve ushtarake – të cilat kryesisht ishin financuar nga SHBA – kur rimorën kontrollin e Afganistanit në vitin 2021, sipas një ish-zyrtari afgan, i cili foli në mënyrë anonime për BBC-në.
Teksa talebanët përparuan nëpër Afganistan në vitin 2021, shumë ushtarë afganë u dorëzuan ose u larguan, duke braktisur armët dhe automjetet e tyre. Disa pajisje thjesht u lanë pas nga forcat amerikane.
Thuhet se përfshiheshin armë zjarri të prodhuara nga Amerika, si pushkë M4 dhe M16, si dhe armë të tjera më të vjetra në zotërim afgan, të cilat ishin lënë pas nga dekada konflikti.
Burimet i kanë thënë BBC-së se, në Komitetin e Sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me dyer të mbyllura në Doha në fund të vitit të kaluar, talebanët pranuan se të paktën gjysma e kësaj pajisjeje tani është “e pa llogaritur”.
Një person nga komiteti ka thënë se ata kishin verifikuar me burime të tjera se nuk dihej se ku ndodheshin gjysmë milioni artikuj.
Në një raport në shkurt, OKB-ja deklaroi se degët e Al Qaeds-s, duke përfshirë Tehreek-e-Taliban Pakistan, Lëvizjen Islamike të Uzbekistanit, Lëvizjen Islamike të Turkestanit Lindor dhe lëvizjen Ansarullah të Jemenit, po aksesonin armët e kapur nga talebanët ose po i blinin ato në tregun e zi.
Hamdullah Fitrat, zëvendës zëdhënësi i qeverisë talebane i ka thënë BBC-së se e merr shumë seriozisht mbrojtjen dhe ruajtjen e armëve.
“Të gjitha armët e lehta dhe të rënda janë të ruajtura në mënyrë të sigurt. Ne hedhim poshtë me forcë pretendimet për kontrabandë ose humbje”, ka shtuar ai.
Një raport i OKB-së i vitit 2023 ka nxjerrë se talebanët lejuan komandantët lokalë të mbanin 20% të armëve të sekuestruara amerikane dhe se tregu i zi po lulëzonte si rezultat.
Këta komandantë janë të lidhur me talebanët, por shpesh kanë një shkallë autonomie në rajonet e tyre.
OKB-ja vuri në dukje se “dhënia e armëve praktikohet gjerësisht midis komandantëve lokalë dhe luftëtarëve për të konsoliduar pushtetin. Tregu i zi mbetet një burim i pasur armatimi për talebanët”.
Numri i armëve të regjistruara nga organi amerikan i ngarkuar me mbikëqyrjen e projekteve të rindërtimit afgan, i njohur si Sigar, rezulton sakaq më i ulët se ato të cituara nga burimet e BBC-së.
Por në një raport të vitit 2022 ka pranuar se nuk ishte në gjendje të merrte informacion të saktë.
Arsyeja e dhënë për këtë ishte se pajisjet janë financuar dhe furnizuar nga departamente dhe organizata të ndryshme amerikane gjatë viteve.
Sigar ka shtuar po ashtu se kishte “mungesa dhe probleme me proceset e Departamentit të Mbrojtjes për gjurmimin e pajisjeve në Afganistan” për më shumë se një dekadë.
Gjithashtu ka kritikuar Departamentin e Shtetit, duke shtuar se “shteti na dha informacion të kufizuar, të pasaktë dhe të parakohshëm për pajisjet dhe fondet që la pas”.
Departamenti ndërkohë mohoi se ishte ky rasti.
Kjo është një çështje shumë politike dhe presidenti amerikan Donald Trump ka thënë vazhdimisht se do të rimarrë armët nga Afganistani.
Ai ka thënë se atje kanë mbetur 85 miliardë dollarë armë të avancuara.