Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë ka pëlqyer një publikim të një medie serbe në rrjetin social Twitter, në të cilën presidenti serb Aleksandar Vuçiq flet për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
“Vuçiq renditi nëntë shtetet që tërhoqën njohjen e Kosovës së vetëshpallur (VIDEO)”, shkruhet në titullin e artikullit të pëlqyer nga llogaria zyrtare e ambasadës. Këtë e ka bërë të ditur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke treguar edhe për përmbajtjen e artikullit.
“Në artikull thuhet se ‘Vuçiq renditi nëntë shtete që tërhoqën njohjen e shtetit të vetëshpallur të Kosovës’”, ka shkruar Muja.
Вучић навео девет земаља које су повукле признање самопроглашеног Косова (ВИДЕО) https://t.co/0f0G6pQO03
— Васељенска ТВ (@VaseljenskaTV) January 4, 2023
Vuçiq ka theksuar të mërkurën se 106 shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai ka thënë se vetëm 84 e njohin pa mëdyshje dhe tri të tjera nuk kanë qartësi sa i përket njohjes apo mosnjohjes.
Në një konferencë vjetore të mërkurën në Beograd, Vuçiqi publikoi një listë të vendeve që tërhoqën njohjen e tyre.
“Ne kemi nëntë vende që kanë tërhequr njohjen – Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia Guinea, Barbuda, Saint Lucia, Maldivet. Dhe ne presim të dhjetin”, ka thënë Vuçiq.