Lajme
“Armë, drogë, femra”: DailyMail shkruan për jetën superluksoze të reperëve shqiptarë në Britani
Demokracia
19:38 | 15 Prill 2023

Share:

“Me të dashurat modele, shtëpitë 600 mijë funte dhe orët Rolex me diamante, reperët shqiptarë po e shijojnë jetën në Britaninë e Madhe, pavarësisht se nuk kanë arritur në krye të toplistave muzikore”. Me këtë fjali e nis artikullin e përditshmja britanike, DailyMail, e cila shpeshherë kritikon një pjesë të emigrantëve shqiptarë që shkojnë në Angli.

Reperët shqiptarë si MGee dhe Lucii janë në mesin e dhjetëra artistëve që kanë mijëra abonentë në Spotify dhe Youtube falë këngëve të tyre – të cilat shpesh promovojnë krimin me armë dhe drogë, ndërkohë që godasin institucionet e Britanisë.

Image
McGee në një foto të postuar në rrjetet sociale

Muzika e tyre vjen në një kohë teksa shqiptarët vazhdojnë ta dominojnë tregun ndërkombëtar të kokainës, duke përmbytur rrugët e Britanisë me drogën e klasit A dhe duke përdorur dhunë ekstreme, përfshirë ekzekutimet, për ata që i pengojnë në punën e tyre, sipas DailyMailit.

Në postimet në rrjetet sociale dhe klipet e këngëve, disa reperë e mbështesin stilin e jetës kriminale teksa tallen me policinë britanike, të cilët i quajnë “derra”, ndërkohë që mburren se zotërojnë automatikë Scorpion dhe ndajnë këshilla se si të thyhen xhamat e veturave.

Disa reperë këmbëngulin se nuk kanë lidhje kriminale, për të tjerët, këto janë gjëra të paqarta. Banda Hellbanianz, për shembull, ngjall frikë nëpër rrugët e Londrës dhe ka shumë reperë në radhët e saj dhe shumë anëtarë në burg, vazhdon shkrimin tabloidi britanik.

Ky grup shpesh poston video në rrjetet sociale të bazuar në jetën kriminale. Edhe klipet e këngëve të tyre kanë po të njëjtën linjë.

Vitin e kaluar u zbulua se shumë nga të rinjtë shqiptarë që po largohen drejt Anglisë besonin në tregimet e trafikantëve se mund të pasurohen shpejt. Shumë e bëjnë këtë pa miratimin e prindërve.

Këtë javë, reperi Lucii – që kurrë nuk e ka bërë fytyrën publike – postoi foto me shumë para pranë dhjetëra iPhoneve. Ai gjithashtu postoi video me një veturë luksoze dhe reklamonte orën e tij Rolex.

Lucii ka 125 mijë ndjekës në Instagram.

Image
Lucii pozon me automatik në duar

Në një klip muzikor, shqiptari me bazë në Londër, Ya Goddy, mburret se po ndiqet me veturë nga policia, të cilët i quan derra, me një video ku shihet duke u prangosur nga dy aktorë që paraqiten si oficerë policie.

Image
Ya Goddy pranë një Rolls-Royce

MGee gjithashtu tallet me policinë në një nga videoklipet e tij muzikore.

Në videoklipin muzikor për këngën e tij “Chico”, të ngarkuar në YouTube tre javë më parë, MGee shihet i rrethuar nga pako të mbështjella që qartësisht synohen të duken si drogë.

DailyMail ka përmendur edhe shumë reperë të tjerë të cilat kanë një numër modest dëgjuesish në platformat online.

13 mijë shtetas shqiptarë synuan të kalonin në Britani ilegalisht me varka vitin e kaluar. Në vitin 2021, numri ishte vetëm 800.

Numrat ranë nga vjeshta, por zyrtarët britanikë kanë paralajmëruar se presin rritje tjetër të ardhjeve shqiptare këtë pranverë.

Edhe kërkesat për azil në Britani arritën numër rekord vitin e kaluar, të lidhura me emigrantët shqiptarë.

Agjencia Kombëtare e Krimit ka thënë se grupet shqiptare të krimit të organizuar po sjellin punëtorë në Britani me varka të vogla për të punuar në tregtinë e drogës dhe i stërvitin se si të shfrytëzojnë “ligjet moderne të skllavërisë” nëse arrestohen.

Kryeministri britanik Rishi Sunak nënshkroi një komunikatë të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama në dhjetor, duke përcaktuar se si do të luftojnë emigracionin e paligjshëm.

Të ngjashme