Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë të mërkurën se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet për keqpërdorimin e Fondit të Kosovës, përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Ai tha se ky fond drejtohet nga “organizata korruptive” e njohur si Partia për Veprim Demokratik.
Qeveria Kurti në një mbledhje të kabinetit qeveritar më 23 dhjetor të vitit të kaluar, 1.2 milionë euro për Luginën e Preshevës. Mjetet i ishin ndarë ndarë Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka filluar hetimet për këtë fond. “PSRK, pas shqyrtimit të kallëzimit penal, menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës qe të ndërmerr veprime hetimore me qëllim të grumbullimit të informacioneve në drejtim të vërtetimit të pretendimeve të parashtruara në kallëzim penal”.
Ishte vetë Arifi i cili më 7 shkurt kishte denoncuar këtë aferë në Prishtinë, duke dorëzuar kallëzim penal në institucionet e drejtësisë.
“Në shkurt të këtij viti, në Prokurorinë Speciale në Prishtinë kam dorëzuar Kallëzim Penal për keqpërdorimin e Fondit të Kosovës përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, të udhëhequr nga organizata korruptive e njohur si Partia për Veprim Demokratik”, shkroi ai në Facebook.
“Dje përmes mediave në Kosovë, u informuam se Prokuroria Speciale ka nisur HETIMET. Ky zhvillim është një hap pozitiv drejt drejtësisë për taksapaguesit kosovarë dhe banorët e Luginës, për të zbardhur plotësisht zhvatjen brutale të Fondit të Kosovës për Luginën”, shtoi Arifi.
“Uroj shumë që ky proces të mos ketë ndikim politik, si dhe individat e përfshirë në aferat korruptive të mbajnë përgjegjësi”.
Ky fond ishte vënë në dispozicion për mbështetjen financiare të studentëve, OJQ-ve dhe artistëve nga Lugina e Preshevës.