Lajme
Arifi: Kurti thoshte se e çmontoi Contour Globalin, tash le të del të fryjë në kodër
Demokracia
11:33 | 01 Shtator 2022

Share:

Ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, ka reaguar për krizën energjetike në të cilën ndodhet vendi, ku tash e dy javë qytetarët po përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Për këtë gjendje, Arifi ka fajësuar ata që e penguan ndërtimin e termocentralit Kosova e Re dhe e anuluan kontratën e “Contour Global”, duke aluduar kështu për partinë në pushtet.

“Ata që e penguan Kosovën e Re dhe e anuluan kontratën e Contourit 500 MW për Kosovën ja kanë borxh Kosovës me dal me një kodër e me fry nashta prodhojnë energji me erë. Kurti lavdërohej se e ka “çmontu “ Contourin por në fakt po shihet kon është kah e çmonton”, ka shkruar Arifi.

Ndryshe, Investitori ContourGlobal përveç që u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në mars të vitit 2020, e dërgoi Kosovën edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.

Me datë 24 maj 2020, sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ka qenë e paraparë që të bëhet mbyllja financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”, por kjo nuk ishte arritur në kohë.

Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.

Por, vitin e kaluar, kjo kompani ishte tërhequr nga padia.

Të ngjashme