Intervista
Arifi: Kemi frikë se një sulm i njëjtë si në veri mund të ndodh edhe në Luginë
Demokracia
20:40 | 26 Shtator 2023

Share:

Ngjarjet e së dielës në veri të Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, kanë tronditur jo vetëm vendin, por edhe më gjerë.

Në lidhje me ngjarjet e fundit, Demokracia.com ka kontaktuar Kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi, për të pyetur si është gjendja në Luginën e Preshevës pas ngjarjeve në veri.

Arifi u shpreh se këto ngjarje janë shqetësuese dhe se prapa tyre qëndrojnë Serbia e Rusia.

“Zhvillimet në veri të Kosovës janë shqetësuese dhe unë personalisht jam i stresuar me atë që pashë, me dëshmi të madhe se nuk ka qenë vetëm një sulm i vetëplanifikuar, por ka qenë një grup i organizuar terrorist me pajisje të madhe të armatimit, që ka planifikuar një proces të gjatë të eskalimit ushtarak në veri të Kosovës. Normalisht, ne që kemi pasur luftën e UÇPMB-së në 2001-tën dhe normalisht që për ne këto janë shqetësuese dhe na rikujtojnë kohën e atëhershme kur konflikti në prag të dyerve tona na ka ndodhur dhe normalisht me ato që i kemi parë dje e pardje, ekziston frika në Luginën e Preshevës tek shqiptarët që mund të ndodh prapë një gjë e tillë edhe tek ne. Ky zhvillim nuk është fare i mirëpritur tek ne dhe absolutisht për t’u dënuar vrasja që ka ndodhur, por edhe akti si akt, i cili ka ndodhur në mënyrë të organizuar, normalisht me pjesmarrje të shtetit serb, por nga motivacioni në kontekst më të gjerë që është Rusia”, u shpreh Arifi për Demokracia.com.

Tutje, ai tha se ekziston frika se një sulm i tillë mund të ndodh edhe në Luginë.

“Gjendja në Luginë pas ngjarjeve në veri është në tension, sepse nuk e dimë çka ndodh, ne e njohim Serbinë, ne jetojmë që 30 vjet me ata dhe na diskriminojnë, vazhdojnë të na pasivizojnë adresat. Ne e njohim Serbinë dhe e dimë se mund të jenë hakmarrës të mëdhenj, kemi frikë se edhe në Luginë mund të ndodh një organizim i tillë”, përfundoi Shqiprim Arifi.

Policia po vazhdon punën lidhur me zbardhjen e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me këtë sulm terrorist dhe sot kanë arrestuar edhe dy persona të tjerë dhe kanë konfiskuar armatim./Demokracia.com/

Gazetari: Çlirim Qeriqi

Të ngjashme
Lajme • 05 Maj 2024