Lajme
Arianit Koci ngre alarmin: “Kosova në krizë të thellë institucionale dhe shoqërore”
Demokracia
15:07 | 22 Maj 2025

Share:

Avokati, Arianit Koci ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke përshkruar një pasqyrë të zymtë të gjendjes në Kosovë. Ai thotë se vendi po kalon një krizë të thellë në të gjitha nivelet: institucionale, shoqërore dhe ekonomike.

“Kosova nuk është mirë. As shteti, as shoqëria”, shkruan Koci, duke shtuar se institucionet janë të paralizuara dhe se ligji zbatohet në mënyrë të padrejtë, veçanërisht për të fuqishmit. Sipas tij, askush nuk po jep llogari dhe shoqëria është dorëzuar, “si nën narkozë”.

Koci kritikon ashpër atë që e quan “kastë e paprekshme”, që për vite me radhë ka vepruar mbi ligjin, duke përfshirë jo vetëm politikanë, por edhe biznesmenë, figura publike dhe pjesëtarë të sistemit të drejtësisë.

Ai thekson përkeqësimin e situatës ekonomike, rritjen e çmimeve dhe pasojat e inflacionit, që sipas tij po rëndojnë mbi qytetarët, veçanërisht shtresën e varfër dhe atë të mesme. Një nga shqetësimet kryesore që ngre është emigrimi në rritje i të rinjve.

“Kjo nuk rregullohet me fjalë. Koha po kalon – bashkë me të, edhe jeta jonë”, paralajmëron ai.

Në këtë kontekst, Koci bën thirrje për masa të menjëhershme dhe radikale, duke propozuar një “gjendje të jashtëzakonshme” morale, jo si akt juridik, por si reagim shoqëror e institucional për të shpëtuar shtetin. Ai kërkon veprim kundër krimit të organizuar, krimit politik, krimit ekonomik dhe tradhtisë ndaj vendit.

“Pastrimi nis nga brenda. Prokurorët dhe gjyqtarët që nuk punojnë – ose nuk dinë – duhet të largohen. Pa mëshirë”, shkruan ai, duke nënvizuar se drejtësia pa përgjegjësi është mashtrim.

“Nëse nuk veprojmë tani – e humbim këtë vend. Dhe nëse nuk kemi guximin ta ndryshojmë – le ta pranojmë të vërtetën: Kosovën nuk e kemi më”, përfundon ai me një thirrje për zgjuarje kombëtare.

Të ngjashme