Sport
Arbëria sfidohet nga skuadra ruse, Morina thotë se janë gati
Demokracia
14:12 | 16 Janar 2021

Share:

Njëra ndër befasitë më të mira të stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll Arbëria, po i vazhdon përgatitjet për një pranverë të nxehtë në Antalia të Turqisë, shkruan Demokracia.com.

Arbëria që në pranverë synim e ka mbijetesën në shoqërinë elite, ka dy ditë që ka zbritur në tokën turke, atje ku po beson se do t’i mbushë mjaftueshëm bateritë për ta përballuar një stinor në të cilin do të luftohet ashpër për t’i arritur objektivat.

Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina në një bisedë për Demokracia.com nga Antalia, ka folur për kushtet e punës atje, adaptimin e përforcimeve si dhe për ndeshjet miqësore që do t’i ketë.

“Është dita e dytë e përgatitjeve në Antalia dhe gjithçka po shkon sipas planit. Kushtet për punë këtu janë shumë të mira. Për ne shumë e rëndësishme është që kemi disa fusha në dispozicion për stërvitje”, ka thënë Morina.

Skuadra nga Dobraja testin e parë do ta ketë me skuadrën ruse Akhmat Grozny në të cilin luan futbollisti i Kosovës, Bernard Berisha.

“Ndeshja e parë do të jetë me 19 janar ndaj Akhmat Groznyt dhe deri atëherë do të mundohemi të komponojmë ekipin sa më tepër”, vlerësoi tekniku i njohur prishtinas, skuadra e së cilit në afatin kalimtar të janarit ka sjellë disa përforcime.

Gresild Lika, Anes Hot, Aldin Adzoviç, Elmir Lekaj dhe Marclei Cezar – Santos janë emrat e ri nga të cilët Morina pret një adaptim të shpejtë të tyre për ta ndihmuar ekipin në pranverë.

“Gjatë këtyre përgatitjeve presim që edhe lojtarët e ardhur në këtë afat kalimtar të adaptohen shpejt në ekip dhe ta kapin ritmin e skuadrës që të jenë gati për pranverë”, ka përfunduar Arbnor Morina.

Arbëria stinorin vjeshtor e mbylli në pozitën e gjashtë me 21 pikë, çka nënkupton se në pjesën e dytë të kampionatit e pret shumë punë për ta siguruar mbijetesën. /Demokracia.com

Të ngjashme