Sport
Arbëria assesi të bëhet rehat me “shtëpi”, ndeshjet e radhës si vendas do t’i luajë në Podujevë
Demokracia
11:24 | 08 Mars 2021

Share:

Arbëria e Dobrajës në edicionin debutues në elitën e futbollit kosovar ka hasur në shumë probleme në aspektin e infrastrukturës.

Për herë të parë nga themelimi, klubi nga Lipjani po merr pjesë në Superligën e Kosovës në futboll, shkruan Demokracia.com.

Por, pavarësisht debutimit, Arbëria nuk ka ende një “shtëpi” ku t’i zhvillojë ndeshjet si vendas.

Punimet në stadiumin në Dobrajë janë “zhagitur”, derisa stadiumi tjetër në Lipjan “Sami Kelmendi” nuk i plotëson standardet për licensim nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Me tri “shtëpi” brenda një viti, Arbëria pret që të bëhet me stadium të ri nga edicioni i ardhshëm

Duke qenë në këtë situatë, skuadra që drejohet nga Arbnor Morina është detyruar që ndeshjet t’i zhvillojë në tri stadiume jashtë Lipjanit deri më tani.

Gjegjësisht, Arbëria ka luajtur ndeshjet si vendas në “Agron Rama” në Obiliq, në stadiumin e Flamurtarit si dhe në stadiumin “Dardania” në Ferizaj.

Demokracia.com ka mësuar nga burimet se skuadra lipjanase ka ndryshuar sërish lokacion për ndeshjet si vendas, pasi në Ferizaj nuk janë lejuar që ta bëjnë asnjë stërvitje të vetme.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe presidenti i Arbërisë, Jahir Krasniqi, i cili ka thënë se me gjasë, ndeshjet e ardhshme dhe stërvitjet do t’i kryejnë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

“Në Ferizaj nuk na kanë lejuar as stërvitje të bëjmë. Jemi detyruar të largohemi. Tash pritet të arrihet marrëveshja dhe ndeshjet t’i luajmë në Llap”, ka deklaruar të hënën për Demokracia.com Jahir Krasniqi.

Ndryshe, pas 22 javësh në Superligë, Arbëria ndodhet në vendin e tetë në tabelë me 26 pikë të tubuara. /Demokracia.com

 

Të ngjashme