Lajme
Arben Vitia lavdërohet për punën në QKUK, qytetarët i përgjigjen me foto të gjendjes së mjerueshme në klinika
Demokracia
15:23 | 29 Gusht 2023

Share:

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është “masakruar” me komente negative nga qytetarët në një postim të tij në Facebook.

Vitia ka postuar një postim në faqen e tij në Facebook ku është lavdëruar për shkurtim të listës së pritjes për rezonancë magnetike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pas këtij postimi, qytetarët kanë vërshuar me komente duke iu përgjigjur e duke i postuar fotografi nga gjendja e rëndë në klinikat e QKUK-së.

Në postimin e tij, Vitia ka thënë se në janar, në QKUK ka pasur vetëm një rezonancë magnetike dhe se lista e pritjes ishte deri një vit.

Sipas tij, tash një rezonancë magnetike e teknologjisë së fundit i është shtuar spitalit të pediatrisë, është funksionalizuar një rezonancë magnetike në Spitalin e Pejës dhe është në fazën përfundimtare procesi për rezonancën në Prizren.

“Në gusht 2023, asnjë rast urgjent për pacientët pediatrikë dhe onkologjikë nuk qëndron në pritje. Lista për rastet e tjera tashmë ka rënë në 4 muaj. E po vazhdon të bie. Vazhdojmë së bashku me stafin mjekësor punën për transformimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët tanë. Sfidat janë të shumta, por edhe më të mëdha janë dhe përpjekjet”, ka shkruar Vitia në Facebook.

Postimi i tij është mbushur me komente të qytetarëve që kritikojnë punën në shëndetësi. Fotografi nga gjendja e rëndë e klinikave, brenda dhe jashtë, kanë dominuar ndër komentet kritikuese. Po ashtu, qytetarët kanë kërkuar që të gjitha spitalet të jenë të furnizuara me rezonanca magnetike.

Të ngjashme