Sport
Arabia Saudite i shpenzoi 5,7 miliardë euro për dy vjet e gjysmë në sport
Demokracia
16:04 | 26 Korrik 2023

Share:

Arabia Saudite i ka shpenzuar së paku 5,7 miliardë euro në marrëveshjes sportive që nga muajt e parë të vitit 2021, më shumë se katërfishi i shpenzimeve të gjashtë vjetëve paraprakë.

Arabia Saudite ka shpërndarë miliarda dollarë nga Fondi i Investimeve Publike në dy vjet e gjysmë të fundit sipas analizave të bëra nga gjiganti mediatik britanik “The Guardian”, duke shpenzuar në sport në një shkallë komplet të ndryshuar të golfit profesionist dhe të transformimit të tregut ndërkombëtar të futbollit, përcjell “Gazeta Express”.

Të hënën, klubi saudit Al Hilal e bëri një ofertë rekorde botërore të futbollit për kapitenin francez, Kylian Mbappe, duke qenë i gatshëm t’i shpenzojë plot 300 milionë euro për kartonin e tij.

Investimet prej 5,7 miliardë eurosh janë ekuivalente me GDP-në e Malit të Zi ose të ishujve Barbados.

Grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë këtu edhe Grant Liberty, Amnesty International dhe Human Rights Watch, i quajnë këto shpenzime si “shpëlarje sportive”, duke sjell emra të mëdhenj të sportit, në mënyrë që të shpërqendrohet vendi nga një histori e dobët për të drejtat e njeriut.

Cristiano Ronaldo ishte ylli i parë që përfundoi në Saudi Pro League, për t’u ndjekur më pas nga Karim Benzema i Real Madridit (të dy me rroga vjetore 200 milionëshe), N’Golo Kanté nga Chelsea, Roberto Firmino i Liverpoolit dhe trajneri Steven Gerrard.

Sidoqoftë, klubet arabe dështuan ta bënin të vetin edhe Lionel Messin, i cili e refuzoi ofertën prej afro 400 milionë eurosh në vit për t’u transferuar në SHBA tek Inter Miami, përcjell “Gazeta Express”.

Kjo shumë e zbuluar nga “The Guardian” është veç me letra, pasi mediumi britanik beson se shumat mund të jenë shumë më të larta, që mund të jenë ndarë nga ajo që quhet metodë “nën tavolinë”.

Yje të tjerë pritet ta ndjekin rrugën e Ronaldos pasi ofertat në drejtim të tyre janë të parefuzueshme dhe të parezistueshme.

Në shkurt të këtij viti, Arabia Saudite bëri të ditur se do ta organizojë Botërorin e Klubeve 2023.

Arabia Saudite po investon shumë në futboll pasi synon që ky shtet brenda pak vitesh të njihet si vend i futbollit, në mënyrë që më pas ta ketë më të lehtë që ta organizojë Kampionatin Botëror në vitin 2034.

Të ngjashme
Sport • 19 Maj 2024