Lajme
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KE, Osmani falënderon presidentin lituanez për mbështetjen
Demokracia
12:06 | 12 Maj 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Lituani në vizitë zyrtare.

Gjatë një konference për media, Osmani ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Në konferencën e përbashkët me presidentin lituanez, Gitanas Nauseda, Osmani e ka falënderuar atë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës drejt anëtarësimit në KE dhe në NATO.

“Mendoj se ju pajtoheni se këto vlera janë të kërcënuara nga Rusia jo vetëm në Ukrainë por edhe më gjerë. Udhëkryqi ku gjendemi do ta definojë Evropën për vitet e ardhshme.. Zotëri President, sot, gjatë takimit kemi diskutuar për për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe NATO-s e BE-së dhe ju falënderoj për përkrahjen që na keni dhënë, si dhe për shtetndërtimin e Kosovës ne jemi falënderues”, ka thënë Osmani.

Tutje, presidentja Osmani ka folur edhe për mbështetjen që Kosova i ka dhënë sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.

“Si një ish-refugjate dhe presidente e popullit që ka qenë pothuajse tërësisht i zhvendosur nga shtëpitë e tyre solidarizohemi me popullin e Ukrainës. Lufta në Kosovë ka qenë dy dekada më parë dhe plagët tona janë ende të hapura, ne e kuptojmë dhimbjen e Ukrainës dhe Kosova qëndron me perëndimin në sanksionet ndaj Rusisë. Fatkeqësisht Serbia qëndron përkrah Rusisë si shteti i vetëm në Evropë që s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe i përkrahë satelitët e saj destabilizues në rajon”, tha Osmani.

Të ngjashme