Lajme
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, opozita skeptike për procesin
Demokracia
21:06 | 29 Nëntor 2022

Share:

Opozita është skeptike për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Së fundmi edhe kryeministri Albin Kurti e rikonfirmoi se vendi aplikon në dhjetor për këtë proces. Por, deputetë të partisë në pushtet, Vetëvendosjes po thonë se për aplikim në BE, Kosova ka përkrahjen e shteteve të fuqishme evropiane

Bashkimi Evropian është një bashkim politik dhe ekonomik i 28 shteteve anëtare që janë të vendosura kryesisht në Evropë. Shtetet e fuqishme të këtij kontinenti si Gjermania, Franca janë ato që dominojnë në vendimmarrje pavarësisht që aty promovohet barazia e sidomos ajo ekonomike.

E pjesë e kësaj familje, po synon që së shpejti të bëhet edhe Kosova.

Kryeministri Albin Kurti ka rikonfirmuar së fundmi për mediat gjermane se në dhjetor vendi që udhëheq dorëzon aplikimin e për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Për këtë, sipas deputetëve të partisë në qeverisje, Kosova tashmë ka përkrahjen e një shteti të fuqishëm.

“Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka përkrahjen e qeverisë gjermane. Kancelari Scholz këtë e ka thënë edhe publikisht që Kosova ka tërë përkrahjen jo vetëm në këtë proces por edhe në procese tjera të rëndësishme integruese. Kemi edhe përkrahjen e shteteve tjera të fuqishme të Bashkimit Evropian që e mirëpresin që Kosova të bëhet pjesë e BE-së”, ka thënë Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, LVV.

Por, pak më skeptik se Vetëvendosje, janë deputetët e opozitës të cilët thonë se aplikimi i Kosovës në BE nuk duhet të përfundoj sikur ai në Këshillin e Evropës.

“Qeveria duhet të bashkëpunoj me shtetet anëtare të BE-së, dhe duhet të lobojnë që 5 shtetet të njohin Kosovën. Deri tash nuk kemi parë ndonjë agjendë konkrete të qeverisë. Nuk duhet vetëm deklaratë e të aplikohet por duhet punë e angazhim ne nuk kemi parë ndonjë angazhim. Procesi i dialogut nuk duhet të lidhet me proceset integruese të vendit”, ka deklaruar Rrezarta Krasniqi, LDK.

Në një përgjigje për RTV Dukagjinin, nga Zyra e Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi kanë thënë se Qeveria po ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për të informuar të gjitha shtetet anëtare e poashtu dhe Presidencës Çeke për aplikimin për anëtarësim në BE.

“Kosova ka për qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe këtë e ka dëshmuar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit tash e gjashtë vite, Agjendës për Reforma Evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe formateve të ndryshme brenda saj”, ka theksuar Klisman Kadiu, Këshilltar për media ZVKM.

Ndërkohë, në kuadër të zyrës së Kryeministrit është formuar Komisioni Ekzekutiv për Anëtarësimin e Kosovës në BE, anëtarët e të cilit kanë miratuar qëndrimin zyrtar për aplikim në BE.

Të ngjashme