Lajme
Apeli vërteton pafajësinë e Ferid Aganit dhe Gani Shabanit në rastin “Stenta 1”
Demokracia
17:21 | 23 Qershor 2023

Share:

Gjykata e Apelit ka njoftuar se e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale në rastin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarit të kësaj ministrie Gani Shabanit, të cilët ishin liruar nga akuza për keqpërdorim detyre.

Sipas njoftimit të Apelit, është vërtetuar aktgjykimi lirues për dy të akuzuarit i 11 nëntorit 2022, shkruan gazeta Online Reporteri.net.

Gjykata Themelore në Prishtinë në nëntor 2022, dy të akuzuarit Agani dhe Shabani i kishte liruar nga akuza për shkak të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pasi sipas kësaj gjykate, nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar.

Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës se parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e të cilave u referohet në ankesë prokurori, ngase dispozitivi i aktgjykimit është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij, është i qartë dhe konkret.

Gjithashtu Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet e prokurorit se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban arsye mbi faktet vendimtare lidhur me veprën penale, janë të pa qëndrueshme ngase gjykata e shkallës së parë drejtë ka vërtetuar se prokuroria ka dështuar të dëshmoj se cilat kanë qenë detyrat, autorizimet dhe përgjegjësit e të akuzuarit Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë dhe të akuzuarit Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë.

Gjykata e shkallë se parë me të drejtë ka konstatuar se prokuroria nuk ka përcaktuar e as dëshmuar para gjykatës se si apo në çfarë mënyre të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, cilat dispozita apo akte ligjore nuk i kanë zbatuar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Kolegji penal i Gjykatës së Apelit gjeti se ankesa e prokurorit karakterizohet me përshkrime abstrakte dhe pa pretendime specifike të ekzistimit të shkeljeve, andaj, mbi bazën e vërtetimit të gjendjes faktike, gjykata e shkallës se parë drejtë ka aplikuar edhe ligjin penal kur të akuzuarit i ka liruar nga akuza për shkak se nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale.

Kolegji i Gjykatës së Apelit sipas njoftimit, është i bindur se gjykata e shkalles së parë ka arritur në përfundimin e arsyeshëm, se nga provat e zbatuara nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kaluar kompetencat e tyre apo nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, andaj, me të drejtë të akuzuarit janë liruar nga akuza për veprën për të cilën janë akuzuar.

Të ngjashme
Lajme • 11 Maj 2025