Lajme
Apeli shqyrton ankesat e palëve, në rastin ku babë e bir ishin dënuar me 43 vite burgim për vrasjen e dyfishtë në Deçan
Demokracia
15:17 | 04 Prill 2023

Share:

Gjykata e Apelit, të martën ka shqyrtuar ankesat e avokatëve Besnik Berisha dhe Kosovare Kelmendi, si mbrojtës të të dënuarve me 43 vite burgim (së bashku), Durim dhe Sali Lushaj, për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit.

Durim Lushaj është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë më 28 tetor 2022, për veprën penale “Vrasje e rëndë”, duke u dënuar me 24 vite burgim, kurse për veprën e dytë armëmbajtje pa leje, ishte dënuar me dy vite burgim. Të njëjtit, gjykata i shpalli dënim unik prej 25 vitesh burgim.

Kurse, Salih Lushaj për veprën penale “Vrasje e rëndë” ishte dënuar me 17 vite burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, me dy vite burgim. Të njëjtit, gjykata i shpalli dënim unik me 18 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ankesat kundër këtij aktgjykimi, i ka shqyrtuar kolegji i Apelit, i përbërë nga gjykatësi Beqir Kalludra, Hashim Çollaku dhe Xhevdet Abazi.

Kundër këtij aktgjykimi, kanë parashtruar ankesë mbrojtësi i të akuzuarit Durim Lushaj, avokati Besnik Berisha dhe mbrojtësja e të akuzuarit Salih Lushaj, avokatja Kosovare Kelmendi, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit jo të drejtë dhe të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal.

Pasi u lexua ankesa e avokatit Berisha, gjyqtari Çollaku tha se përgjigje në ankesë ka parashtruar Prokuroria Themelore, duke theksuar se ankesa nuk paraqet relevancë në këtë çështje penale, pasi që gjykata e shkallës së parë drejt ka vepruar kur ka shpallur fajtor të akuzuarin për veprat penale që i vihen në barrë, duke propozuar që të refuzohet si e pabazuar ajo ankesë.

Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka kërkuar që përgjigja e Prokurorisë Themelore të aprovohet si e bazuar, kurse ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, të refuzohen si të pabazuara.

Avokati Berisha në këtë seancë tha se kjo as nuk ka qenë e dëshiruar, as e paramenduar, e as e përgatitur siç pretendohet.

Ai tha se ankesa nuk ka për qëllim të mohojë ose të ndryshojë veprimet e ditës kritike që i vihen në barrë të mbrojturit të tij.

Sipas Berishës, theksi i pretendimeve të tyre ankimore është mungesa e një gjykimi të drejtë në kohë të arsyeshme, si dhe vlerësimi dhe zbatimi i rekomandimeve të kësaj gjykate.

I njëjti ka kërkuar që kjo çështje të kthehet në rigjykim, që detyrat e qarta të vendosen sërish nga kjo instancë e gjykatës dhe gjykata e shkallës së parë të detyrohet t’i zbatojë ato e të mos marrë rolin e Institutit Psikiatrisë Forenzike.

Edhe avokatja Kelmendi, gjatë kësaj seance tha se mbetet në tërësi pranë pretendimeve ankimore, duke shtuar se edhe pse aktgjykimi ka qenë voluminoz prej 88 faqe, në kuptimin përmbajtjesor dhe të arsyetimit, ky aktgjykim është bosh.

Ndërkaq, përfaqësuesit e palës së dëmtuar deklaruan se nuk pajtohen me ankesat e mbrojtësve, duke propozuar që të njëjtat të refuzohen.

Ndryshe, më 9 shtator 2022, Gjykata Themelore e Pejës me propozimin e prokurorit Ersan Qavolli, kishte urdhëruar të bëhet ekzaminimi nga Agjencioni i Forenzikës, i dy video-incizimeve të marra nga kamerat afër vendit të ngjarjes.

Kjo lëndë penale ka qenë duke u përfaqësuar nga ish-prokurori i pensionuar Haxhi Sinanaj, ndërsa më pas ka kaluar tek prokurori Agron Galani, ku ky i fundit ishte tërhequr nga përfaqësimi, pasi i dëmtuari e kishte cilësuar prokurorin si jo objektiv në trajtimin e rastit.

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë, më 14 prill 2018, e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 vite burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohej se më 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta R.R.

Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta R.R, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e B.R, po ashtu me armë zjarri.

Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R si dhe G.R e M.R.

Që të dy, akuzoheshin nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

Të ngjashme