Lajme
Apeli e lë në fuqi aktakuzën ndaj zyrtarit doganor që ngarkohet për dy vepra të korrupsionit
Demokracia
20:14 | 11 Prill 2022

Share:

Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e ka konsideruar të ligjshme aktakuzën ndaj zyrtarit doganor, Veton Turjaka, i cili përballet me akuzat për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Çështja e ligjshmërisë së aktakauzës ndaj Turjakës, kishte qenë më herët objekt vlerësimi nga Gjykata e Apelit, kur kjo e fundit e kishte prishur një herë vendimin e Themelores, si të paarsyetuar.

Një ndër shkaqet që kishte kushtëzuar anulimin e vendimit të parë të Gjykatës Themelore në Pejë, ishte mosarsyetimi  i pretendimeve të mbrojtësit të të akuzuarit Turjaka, avokatit Kujtim Kërveshi, nga ana e gjykatës dhe mungesa e vlerësimit të provave, të cilat mbështesin dyshimin e bazuar mirë në kryerjen e veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tani, Apeli e ka konsideruar të ligjshëm dhe të arsyetuar vendimin e dytë të Themelores, e cila e konsideronte aktakuzën e ligjshme dhe të bazuar në prova të pranueshme, duke e refuzuar ankesën e avokatit Kërveshi si të pabazuar.

Avokati Kërveshi, në ankesë pretendonte se deklarata e bashkëshortes dhe vajzës së të akuzuarit Shefqet Gusturanaj ishte e papranueshme, pasi të njëjtat edhe pse ishin paralajmëruar për të drejtën e tyre që të lirohen nga dëshmia, heqja dorë nga kjo e drejtë, nuk ishte evidentuar në procesverbal, e që sipas avokatit, ishte detyrim sipas par.3, të nenit 127 të KPPRK-së.

Mbrojtja pretendon se shkalla e parë nuk e kishte shtjelluar këtë detyrim ligjor, por vetëm kishte supozuar se dëshmitarët nuk kishin hequr dorë nga lirimi për të dëshmuar,  me faktin se të njëjtën deklaratë e kishin nënshkruar, pasi ishin paralajmëruar për lirimin nga dëshmia.

Kërveshi në shkallë të dytë ka pretenduar edhe se deklarata e të akuzuarit Shefqet nuk mund të përdoret kundër bashkëtëpandehurit Veton Turjaka në procedurë të përbashkët.

Apeli ka arsyetuar se secila nga dëshmitaret që kishin lidhje familjare me të akuzuarin Shefqet, ishin paralajmëruar për të drejtën e tyre për t’u liruar nga dëshmia, mirëpo të njëjtat ishin pajtuar me vetdëshirë të dëshmojnë, duke e nënshkruar procesverbalin e dhënies së dëshmisë.

“Por në rastin konkret, meqenëse nuk kemi ndonjë dëshmi që të njëjtat kanë refuzuar të deklarohen por të njëjtat janë deklaruar dhe e kanë nënshkruar procesverbalin në fjalë, andaj pretendimet e lartcekura në këtë drejtë janë të pabazuara dhe të paargumentara”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Për pretendimet tjera, Apeli ka arsyetuar se të njëjtat do të mund të vlerësohen gjatë fazës së shqyrtimit kryesor, ndërsa vendimi i Themelores ishte i ligjshëm dhe i drejtë dhe pa shkelje procedurale.

Ndryshe, më 16 shkurt 2022 pasi Gjykata e Apelit kishte anuluar vendimin e parë të Gjykatës Themelore në Pejë, e cila kishte lënë në fuqi aktakuzën e prokurorisë, Themelorja për të dytën herë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Veton Turjakës, zyrtar doganor, i cili akuzohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndryshe, Gjykata e Apelit më 10 shkurt 2022 e ka anuluar vendimin e Gjykatës së Pejës që kishte konfirmuar aktakuzën e prokurorisë ndaj zyrtarit doganor, Veton Turkajaka, ku ky i fundit ngarkohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Më 21 janar 2022, Gjykata e Pejës e kishte konsideruar të ligjshme dhe të bazuar aktakuzën e Prokurorisë së Pejës, që zyrtarin doganor Veton Turjaka e ngarkon me marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, i pandehuri Turjaka ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa i pandehuri Shefqet kishte pranuar fajësinë për dhënie ryshfeti, por që ishte refuzuar nga Gjykata e Pejës.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 7 shtator 2021 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Veton Turjaka akuzohet së më 8 mars 2020, në pikën kufitare në Kullë, Komuna e Pejës, në cilësinë e personit zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që personi tjetër të përfitojë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shefqet Gusturanaj po e drejtonte automjetin “Mercedes” dhe rimorkion, ku kishte të ngarkuara gjësende të ndryshme (motorsharra, kositëse bari, biçikleta, etj). Lidhur me këtë, thuhet se i pandehuri Turjaka, si zyrtar doganor, nuk ndërmerr veprimet e duhura që malli në fjalë t’i nënshtrohet kontrollit doganor.

Me këtë, thuhet se i pandehuri Gusturanaj përfiton duke mos paguar tatimet reale dhe si rrjedhojë dëmtohet buxheti i shtetit, në vlerë prej 225 euro.

Më këtë, Veton Turjaka akuzohet ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me burgim prej një deri në tetë vjet.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se me qëllim që malli që posedonte i pandehuri Gusturanaj të mos i nënshtrohej procedurave të kontrollit doganor, nga i njëjti i pandehuri Turjaka kërkon dhe merr shumën prej 50 euro, në zyrën e tij.

Më këtë, Turjaka akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, në dispozitivin e tretë të aktakuzës thuhet se bankënotën prej 50 euro të cilën e kishte marrë ryshfet i pandehuri Turjaka, vajza e të pandehurit Gusturanaj që gjendej në automjet, me kërkesën e këtij të fundit, e vendosë në pasaportë dhe më pas ia jep të pandehurit të parë në zyrën e tij.

Me këtë, Shefqet Gusturanaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, ku parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

 

Të ngjashme