Protestat në Graçanicë detyrojnë autoritetet lokale të anulojnë konkurset për pranimin e punonjësve të rinj në institucionet shëndetësore mes dyshimeve për ndikimin e Listës Serbe në emërimin e njerëzve që nuk jetojnë fare në Kosovë.
Janë anuluar konkurset për pranimin e punonjësve të rinj në institucionet shëndetësore në rrethin e Graçanicës, për shkak se banorët e kësaj komune të banuar me shumicë serbe kanë protestuar, duke argumentuar se vendet e punës i kanë fituar persona të afërt me Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Por, në bazë të vendimit të publikuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Graçanicë, arsyeja formale e anulimit të konkurseve është “skadimi i afatit 30-ditor” për marrjen e vendimit për përzgjedhjen e kandidatëve, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.
REL-i ka raportuar se dhjetëra banorë lokalë, të cilët kanë protestuar së fundmi para Qendrave të Mjekësisë Familjare në Graçanicë, Uglar dhe Gushtericë të Poshtme, kanë deklaruar se punësimet në institucione janë bërë në mënyrë selektive, duke favorizuar persona të lidhur me Listën Serbe, të cilët, sipas tyre, nuk jetojnë fare në Kosovë.
Institucionet shëndetësore në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë në mënyrë paralele, sipas sistemit të Serbisë, ndërsa konkurset për vende të reja pune janë shpallur nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë në fund të janarit – në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ku pjesë e garës ishte edhe Lista Serbe.