OpEd
Antimitingjet që po shpëtojnë Bashën nga berishizmi
Demokracia
08:05 | 17 Janar 2022

Share:

Nga Mero Baze

Jo rastësisht antimitingu i parë i enveristëve ndodhi në Tropojë në Janar të vitit 1991. Qyteti nga i cili kishin dalë dy liderët e rinj të Partisë Demokratike, ishte revoltuar pasi “dy besëprerët” e partisë, kishin turpruar Tropojën.

Sidomos Saliu, të cilin partia e kishte çuar në shkollë, e kishte bërë doktor dhe i kishte besuar edhe shëndetin e udhëheqjes.

Ky ishte mentaliteti shfajësues, me të cilën nisën antimitingjet enveristët në Shqipëri. Është i njëjti argument dhe e njëjta mendësi e enveristëve të rinj të vitit 2022, të cilët pasi humbën betejën e 8 janarit, tani e kanë degraduar lëvzijen e tyre në antimitingje enveriste.

Por a e dëmton Partinë Demokratike ky fenomen?

Nëse ka një gjë që në fakt ndihmon procesin e precepitimit të së keqes dhe ndarjes nga një kulturë politike që i takon komunizmit, është pëkërisht simptoma e antimitingjeve.

Përfytyroni tani që në çdo qytet që do të shkojë Lulzim Basha, Sali Berisha do të organizojë 20 vetë ta presin me thirrrjet “Basha ik”. Kjo do të krijojë listën e njerëzve komikë të qytetit, të atyre që do të konfrontohen fizikisht për Sali Berishën me miqtë e kolegët e tyre të disa muajve më parë. Shumë gjëra tragjike dhe dramatike janë harruar nga viti 1991, por gjërat komike nuk janë harruar ende. Dhe ato lidhen vetëm me antimitingjet e enveristëve. Qindra njerëz më pas u ka ardhur turp nga ajo që kanë bërë, janë përpjekur të fshehin ngjarjen apo disa si Buajr Nishani të ndërrojnë dhe mbiemrin, por ana komike e asaj që ka ndodhur me bustin e Enver Hoxhës në krah nuk ka ikur.

Kështu do të ndodhë dhe me antimitingjet e Berishës. Të lusim Zotin që ai t’i bëjë ato qytet më qytet, ku shkon Lulzim Basha, që qytet më qytet, të jetë e qartë ndarja mes tij dhe qytetit, mes kulturës berishiste dhe kulturës qytetare dhe mes të tjerash, mes njerëzve që e përfaqësojnë Sali Berishën.

Ata që do të marrin përsipër “antimitingun”, natyrisht do jenë simbol i tij në atë qytet dhe nuk ka më mirë se sa simbol I tij në çdo qytet të Shqipërisë, të jenë kategori të tilla të degraduara njerëzish.

Sot, disa nga ata që bënë antimingtun e parë në Tropojë, janë në ekipin e Foltores së Sali Berishës si organizatorë. Një prej tyre, madje është koka që urdhëroi antimintingun. Ata të shkretët që dolën në të ftohtin e 11 Janarit 1991, të protestonin kundër themelimit të PD si prerje në besë e partisë nga Tropoja, janë fshehur për 30 vjet mos t’ua kujtojë njeri.

Ndaj këta që marrin pjesë në antimitingjet e Berishës, thjesht duhen filmuar dhe fotografuar që të mos harrohen. Duhen publikuar me humor dhe keqardhje. Është ndoshta nderi I fundit që Sali Berisha po I bën Lulzim Bashës, I pa vetëdijshëm që po e diferencon nga plehrat dhe historitë e tij linçuese. Ky është në fakt Berisha i vërtetë, një njeri banal, që e ka nisur karrierën prej antimitingjeve enveriste dhe po e mbyll me antimitingjet e veta. Së paku në një pikë nuk I tradhëtoi enveristët. Ua mbajti gjallë traditën./Tema

Të ngjashme
OpEd • 16 Prill 2024
OpEd • 13 Prill 2024