Sport
Anthony Joshua hyn në botën e futbollit, nis bisedime për të blerë klubin e njohur anglez
Demokracia
21:15 | 07 Maj 2025

Share:

Një nga boksierët më të suksesshëm të dekadës së fundit, Anthony Joshua, ka konfirmuar se është në bisedime për të investuar dhe për t’u bërë bashkëpronar i klubit anglez Watford FC, ekip i Championshipit (liga e dytë angleze), nga qyteti i tij i lindjes.

Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, i njohur për triumfet e tij në ring, tashmë synon të zgjerojë aktivitetet e tij edhe në botën e sportit jashtë boksit.

Në një intervistë për Seconds Out, Joshua zbuloi se po shqyrton mundësinë e investimit në klubin që ka përjetuar një periudhë të vështirë pas rënies nga Liga Premier dhe aktualisht renditet larg zonës së promovimit.

“Ne donim të hynim në botën e kapitalit privat dhe kapitalit sipërmarrës. Ndërsa fiton para, natyrshëm dëshiron të kursesh dhe të investosh me kujdes. Për mua, kjo është një mundësi e tillë. Ende nuk ka ndodhur asgjë konkrete, por nëse realizohet – do të jetë një investim serioz”, deklaroi Joshua.

Edhe pse ka pranuar se nuk është tifoz i madh i futbollit, Joshua tha se lidhja emocionale me qytetin e tij dhe atmosfera e krijuar rreth ndeshjeve të Watfordit e kanë shtyrë drejt këtij hapi: “Kur Watford luan, energjia në qytet është fantastike. Është një përvojë e veçantë të shohësh tifozët që vërshojnë nëpër rrugë drejt stadiumit”, shtoi ai me një buzëqeshje, duke bërë shaka se nëse klubi ngjitet në Ligën Premier, do të hapë një dyqan në Market Street për të përfituar nga trafiku i madh i njerëzve.

Aktualisht, Watford e përfundoi sezonin në vendin e 14-të në Championship, larg zonës së play-off-it për ngjitje.

“Hornets”, siç quhen ndryshe, kanë qëndruar në këtë nivel tash e tre vite dhe ambiciet për rikthim në elitë janë të mëdha — me Joshua që mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë mision.

Të ngjashme