Nga 10 skuadra sa ka Superliga e Kosovës në futboll, plot tetë sosh tashmë gjenden në Antalia për fazën e fundit të përgatitjeve për stinorin pranveror, shkruan Demokracia.com.
Gjilani, Drita, Ballkani, Llapi, Prishtina, Malisheva, Ulpiana e Dukagjini tashmë kanë zbarkuar në Turqi ku do të qëndrojnë për rreth dy javë, madje disa edhe më shumë, siç është Prishtina e cila këtë herë do të qëndrojë plot 17 ditë.
Hotelet ku janë akomoduar klubet tona janë nga më luksozet në Antalia, që ofrojnë kushte të jashtëzakonshme për punë por edhe shpenzimet janë bukur të mëdha. Nata në muajin janar kushton afërsisht 100 euro për person.
Kur kihet parasysh se një klub përbëhet nga stafi prej 35-40 persona, i bie diku mesatarisht një klub të shpenzojë prej 30 deri në 40 mijë euro gjatë qëndrimit dy javorë e ku në total shpenzimet kapin shifrën e rreth 300 mijë euro, që realisht për kushtet tona janë bukur të mëdha. /Demokracia.com/