Lajme
Ankohet te mediumi gjerman për NATO-n: Gërvalla zgjedh 23 vjetorin e fillimit të bombardimeve ta akuzojë ashpër aleancën
Demokracia
16:44 | 24 Mars 2022

Share:

Donika Gërvalla – Schwarz, kryediplomatja skandaloze e Kosovës, ka zgjedhur 23 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, që ta kritikojë e akuzojë ashpër këtë Aleancë.

Në një intervistë për mediumin gjerman “Winer Zeitung”, ajo ka akuzuar NATO-n dhe BE-në nuk po e marrin seriozisht Ukrainën, pas fillimit të pushtimit nga Rusia, përcjell Demokracia.com.

“Në shtetet e ish-Jugosllavisë ka pasur një sondazh, sipas të cilës mbështetje për BE-në në Serbi ishte nën 50 për qind. Në Kosovë, nga ana tjetër, e ka kaluar 90 përqindëshin. Ngjashëm ishte mbështetja edhe për NATO-n. Kjo do të thotë, se vullneti për t’u bashkuar është i madh. Na duhet mbrojtja e NATO-s. Për Kosovën do të ishte e rëndësishme, por edhe për Bosnjë-Hercegovinën. Ne nuk e dimë, se si do të reagojë një person si Vladimir Putini, kur nuk sheh përparim në Ukrainë. A do ta destabilizojë Ballkanin? Nëse po – si? Një pjesë e planit të Putinit është ta përdorë Serbinë për ta destabilizuar rajonin, ai do të vazhdojë me këtë, pavarësisht nëse i afrohemi NATO-s apo jo. Ukraina na ka treguar, se pavarësisht nga reagimi i Perëndimit, Putini do të vazhdojë me planet e tij. Tani mund të dëgjojmë nga shtetet e BE-së fjalët: Nëse do ta merrnim Ukrainën seriozisht, do të kishim reaguar më herët”, ka thënë ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme në këtë intervistë të dhënë, mes tjerash ka kërkuar që Kosova të pranohet në NATO, dhe në fund, të bëhet anëtare e Këshillit të Europës, përcjell Demokracia.com.

Gërvalla njihet për deklaratat e saj skandaloze, të tilla kishte dhënë edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ku kishte thënë se ata vranë serbë, romë dhe ish-rivalë të tyre.

Ndërkohë, sot mbushen 23 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, që në atë kohë përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi, përcjell Demokracia.com.

Masakra në Fshatin Reçak shënoi kthesën në luftë, pasi që komuniteti ndërkombëtar humbi durimin me politikat agresive të Millosheviqit, i njohur si ‘Kasapi i Ballkanit, duke çuar në vendimin për intervenim ushtarak për të parandaluar eskalimin e mëtejshëm të dhunës dhe masakrave në Kosovë.

Njoftimin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Operacionet e NATO-s përfunduan pas nënshkrimit të marrëveshjes tekniko-ushtarake për tërheqjen e ushtrisë dhe policisë jugosllave nga Kosova./Demokracia.com/

Të ngjashme