Lajme
Anketa e gazetës “New York Times”: Kush do të fitonte në ShBA, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot?
Demokracia
15:36 | 02 Mars 2024

Share:

Sipas një ankete të gazetës së njohur amerikane, “The New York Times”, presidenti i tanishëm i ShBA-së, Joe Biden, ka 5 për qind më pak përkrahje se rivali i tij i pritshëm republikan, Donald Trump, tetë muaj para zgjedhjeve presidenciale.

Në sondazhin me votues të regjistruar, 43 për qind e pjesëmarrësve thanë se do ta votonin demokratin Biden, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, ndërsa 48 për qind thanë se do ta votonin ish-presidentin Trump, rritje e lehtë e përkrahjes për opozitarin nga anketa e fundit e kësaj gazete, që ishte realizuar në dhjetor, përcjell gazeta “The Times of Israel”.

Sipas kësaj ankete, ka pikëpamje negative për presidencën e Bidenit në mesin e amerikanëve. 47 për qind e pjesëmarrësve nuk janë të kënaqur me punën e tij – rezultati më i lartë negativ gjatë kohës së Bidenit në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Dyfish më shumë votues mendojnë se politikat e demokratëve më shumë i kanë dëmtuar ata sesa që kanë përfituar prej tyre.

Vetëm një e katërta e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se ShBA-ja është në rrugë të mbarë, ndërsa shumica besojnë se ekonomia është në gjendje të keqe.

Anketa u krye në fund të shkurtit me kolegjin privat “Siena” me seli në Nju-Jork.

Të ngjashme