Lajme
Ankesa për sezon veror të vonuar, hotelierët thonë se ndikuan tensionet në veri
Demokracia
10:15 | 19 Korrik 2023

Share:

Sezoni veror në Kosovë karakterizohet me ardhjen e mërgimtarëve, të cilët në vendlindje përveç se çmallen me të afërmit e tyre, i japin edhe gjallëri e “infuzion ekonomik” vendit.

E këtë vit duket se sezoni është më i vonuar, krahasuar me vitet e kaluara.

Në Odën e Hotelerisë dhe Turizmit thonë se shkak për këtë janë bërë zhvillimet e fundit në veri dhe tensionimi i situatës atje.

“Sezonin veror këtë vit ka filluar me vonesë. Tani po shihet që është duke ardhur një fluks më i madh i bashkatdhetarëve. Përkeqësimi i situatës në veri të vendit ka ndikuar që mërgimtarët po hezitojnë që të kalojnë nëpër Serbi dhe ka raste që i kanë anuluar organizimet në Kosovë për shkak se nuk kanë mundur që të vijnë”, tha në një prononcim për Telegrafin kryetari i OHT-së, Hysen Sogojeva.

Sipas tij, nuk mund të thuhet që ky sezon është i dështuar, por shtoi se në krahasim me muajin korrik të vitit të kaluar “shihet që është më dobët”.

Sa i përket çmimeve, ai theksoi se ka tendencë të lehtë që të rriten gjatë sezonit veror, ndërsa apeloi te bizneset dhe veprimtaritë e tjera që të mos e bëjnë një gjë të tillë vetëm për shkak të ardhjes së mërgimtarëve.

Ndërsa, i pyetur nëse ka mungesë të fuqisë punëtore, Sogojeva tha se ndonëse është e theksuar bizneset po ia dalin disi.

“Ka mungesë edhe të fuqisë punëtore, por disi po ia dalin. Tash punëtorët po paguhen më mirë dhe natyrisht kërkohen më shumë detyra e përgjegjësi. Në këtë mënyrë kjo pjesë disi po mbulohet edhe pse vërehet që ka mungesë të punëtorëve”, përfundoi ai.

Megjithatë, numri i personave që kanë hyrë në Kosovë ka shënuar rritje krahasim me vitin paraprak. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar rritje të numrit të udhëtarëve për rreth 15 për qind krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”
Gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 10 mijë e 400 fluturime, ku numri më i madh është nga Zvicra, ndjekur nga Gjermania, Turqia dhe Austria.

Sipas të dhënave të ANP “Adem Jashari” dërguar për Telegrafin, numër më i madh i ardhjes dhe shkuarjes së mërgimtarëve është realizuar gjatë muajve prill dhe maj, ku kanë ardhur në total 586 mijë e 157 udhëtarë me 4 mijë e 40 fluturime.

Ndërkaq, edhe numri i personave, të cilët kanë hyrë dhe dalë nga Kosova, në të gjitha Stacionet Policore Kufitare (SPK) të Republikës së Kosovës nga periudha janar-qershor, është për rreth 100 mijë më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërsa, sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga ky vend kanë ardhur 41.2 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 20.2 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 9.1 për qind.

Banka Botërore thotë se pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind, ku nga shpallja e pavarësisë janë dërguar 13 miliardë euro.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.

Të ngjashme