Kina ka planifikuar të nisë nesër anijen kozmike ”Shenzhou-20”, tha Agjencia Kineze e Hapësirës.
“Anija kozmike është planifikuar të niset në orën 17:17 sipas kohës lokale (09:17 GMT) nga qendra e nisjes satelitore Jiuquan në Kinën veriperëndimore”, tha Stacioni Hapësinor Kinez në X.
Astronautët kinezë Chen Dong, Chen Zhongrui dhe Wang Jie do të kryejnë misionin e fluturimit hapësinor me ekuipazh ”Shenzhou-20”. Chen Dong do të shërbejë si komandant i misionit.
Anëtarët e ekuipazhit ”Shenzhou-20” do të zëvendësojnë anëtarët e ”Shenzhou-19”, të cilët do të kthehen në shtëpi pas kryerjes së gjashtë muajve të kërkimit në hapësirë.
Në tetor të vitit të kaluar, Kina nisi anijen ”Shenzhou-19” në hapësirë me tre astronautë.