Punimet e filigranit janë të bukura por gjithnjë e më të rralla pasi ky zanat është duke u zhdukur. Ndër këto punime është edhe një anije e punuar në dyqanin e argjendit “Pali”.
Anija e argjendit, që peshon 12 kilogramë, e gjatë më shumë se një metër, është punuar nga Liridon Palucaj.
“Kjo anije është punuar rreth pesë (5) vite më parë dhe është e punuar nga argjendi me pastërti 90 për qind. Pesha e kësaj anijeje është 12 kilogramë dhe të veçantë e bën guri rubin 5 karatësh. Është e vetmja e llojit të vet, jo vetëm në Kosovë por edhe në botë”, tregon për Demokracia.com autori i saj.
“Kjo anije është punuar që gati 5 vite. Është krejt e punuar nga argjendi. Çdo pjesë e saj është e punuar në detaje dhe e punuar me dorë”, tregon Palucaj.
Autori i anijes thotë se ka pasur kërkesa edhe për ta blerë atë.
“Përmasat janë rreth 1,20 metër me 1,20 metër. Kemi pasur shumë kërkesa për blerje, por zakonisht kjo ka një çmim më të lartë shkaku i madhësisë dhe nuk jemi shumë të interesuar ta shesim. Por oferta kemi pasur”, tha Palucaj.
Palucaj thotë se veprimtaria e filigranit në familjen e tij është profesion i trashëguar brez pas brezi.
“Ne merremi me këtë veprimtari brez pas brezi. Unë e punoj gati 18 vite këtë zanat. Babai im është argjendar që 40 vite. Me argjendari merremi familjarisht, veçanërisht filigranin”, tha Palucaj.
Palucaj thotë se problemin më të madh të projektimit të veprave të filigranit e zë dizajnimi, projektimi dhe hudhja në letër. Ndërsa ka theksuar se shitja më e madhe bëhet tek turistët, të cilët janë më të interesuar se sa banorët vendas.
“Problem më i madh është dizajnimi, projektimi, hudhet në letër dhe nga letra në vepër”, e përshkruan ai procesin e punimit të një vepre të filigranit.
“Punën më të madhe e bëjmë me turistë të vendeve të ndryshme të botës që e vlerësojnë shumë. Në Kosovë nuk ka një interesim shumë të madh për filigranin”, thotë ai dhe përsërit se “zakonisht puna më e madhe ka qenë me turistë”.
Pandemia ka ndikuar edhe në rënien e punës dhe në ekonominë e biznesit të tij. Ai po ashtu theksoi se diçka që e shqetëson është se filigrani ka filluar të punohet me makina dhe duke u punuar sintetikisht, duke theksuar se kjo gjë i dëmton shumë si biznes.
(Liridon Palucaj)
“Si çdo biznes tjetër pandemia ka ndikuar edhe te ne shumë. Mos të themi 100 për qind, por 80 për qind… ka një rënie drastike”.
“Është një gjë tjetër e keqe që tash filigrani po bëhet sintetik, i punuar nga makinat. Ajo po na dëmton shumë. Por edhe ka një rënie të madhe të të interesuarve për marrjen e zanatit të filigranit. Kjo nuk është gjë e mirë sepse është traditë e shqiptarëve. Tashmë veçse është në zhdukje e sipër”, tha Palucaj, për Demokracia.com.
Nga gjenerata e tij, Liridonit ka mbetur i vetmi i cili merret me këtë zanat dhe ai nuk beson se dikush pas tij do të merret me këtë veprimtari.
“Nga brezi im kam mbetur unë, që e punoj, dhe pas meje nuk besoj që dikush do ta punojë”, u shpreh ai./Demokracia/
Disa punime filigrani nga dyqani i Liridon Palucajt: