Lajme
Ani pse shpreson Macron, kthimi në dialogun Kosovë-Serbi i vështirë në këtë fazë
Demokracia
20:04 | 18 Maj 2025

Share:

Presidenti francez uroi që Kosova e Serbia t’i kthehen dialogut në javët në vazhdim. Por kjo, sipas njohësve të zhvillimeve politike, është e vështirë momentalisht, sidomos me situatën politike aktuale në vend

Vargut të thirrjeve për kthimin e Kosovës e Serbisë në tryezën e dialogut, iu bashkua edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Unë uroj që në javët e ardhshme të rifillojmë dialogun me Prishtinën dhe Beogradin, sepse secili vend është përballur me probleme politike e sociale, për të mundur të bëjmë avancime.”

Por, optimizmi i Macronit, në konferencën e përbashktë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të paktën në Kosovë, pritet me skepticizëm.

Përderisa qeveria në detyrë as që e ka komentuar një mundësi të tillë, njohës të politikës vendore e shohin pak të mundshme një mundësi të tillë.
Afrim Kasolli thotë që Kosova dhe Serbia nuk kanë momentum politik për kthim në dialog.

Por, thotë që edhe në Bashkimin Evropian ka paqartësi, meqë përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka dhënë disa deklarata të ndryshme.

“Ka deklaruar se është mëse evidente që dialogu nuk ka shkuar ashtu siç duhet dhe se është koha të rishikohet e rivlerësohet se ku janë bërë gabime në procesin e deritanishëm, e tash mbetet e paqartë a është fillim i zbatimit të detyrimeve që të dyja palët kanë, apo fillim i procesit që ka për qëllim korrigjimin e gabimeve”, ka deklaruar Afrim Kasolli, analist politik.

Sipas Kasollit, për Kosovën më e dobishme do të ishte fillimi i korrigjimit të disa gabimeve në dialog.

Takime mes Kosovës dhe Serbisë nuk sheh në një të ardhme të afërt as analistja politike Mimoza Gavrani.

“Mendoj që është mesazh që, për t’u konsoliduar, u duhet shumë më shumë kohë. Në këtë rast, i duhet vendit që të konsolidohet edhe me situatën e stabilizimit politik që aktualisht kemi dhe të merren parasysh edhe opsionet që presidentja i ka në tavolinë dhe po diskutohen”, ka deklaruar Mimoza Gavrani, Analiste politike.

Gavrani thotë që edhe kthimi i Kosovës në dialog mund të ketë kushte, siç është largimi i masave ndëshkuese nga BE-ja, por që nuk do të ishte e favorshme për vendin.

“Nuk jemi në pozicion politik për të kushtëzuar, sidomos duke pasur parasysh zhvillimet e egra gjeopolitike, pozicionimin e Rusisë, impaktin e politikës së presidentit Trump, pozicionimin e aleatëve të tjerë të cilët në vazhdimësi po punojnë në realizimin e qëllimeve të tyre afatgjata politike. Në këtë rast kam fjalën për Republikën e Serbisë në bashkëpunim me Rusinë”, ka theksuar Mimoza Gavrani, analiste politike.

Përveç deklaratës së presidentit francez Macron për dialogun, nga Tirana erdhi edhe konfirmimi për vizitën në Kosovë e Serbi nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme e BE-së Kaja Kallas gjatë javës së ardhshme.

Të ngjashme