Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Bajram Gecaj ka thënë se të gjithë bashkë duhet të organizojnë një protestë para Qeverisë për të kërkuar shkarkimin e Albin Kurtit, pasi që sipas tij, Kurti po sorollatet nëpër resorë luksozë pa qarë kokë për qytetarët e helmuar.
Kështu ka shkruar Gecaj në një postim në rrjetin social “Facebook”, duke shkruar se partitë në pushtet, opozita, shoqëria civile, si dhe qytetarët, sipas tij, duhet të organizojnë një protestë të përbashkët gjithë-popullore para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në të cilën do të kërkohej shkarkimi i Albin Kurtit, përcjell Demokracia.com.
Postimi i plotë i Gecajt, pa ndërhyrje:
KURTI IK!
Partitë në pushtet, opozita, shoqëria civile, si dhe qytetarët e vendit, të organizojnë një protestë të përbashkët gjithë-popullore para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në të cilën do të kërkohej shkarkimi i Albin Kurtit, i cili, edhe pse deklarohet politikan i majtë, megjithatë, ai po sorollatet nëpër resorë luksozë pa qarë kokë për qytetarët e helmuar. Rrjedhimisht, deri në organizimin e zgjedhjeve, të kërkohet zëvendësimi i tij me Besnik Bislimin, i cili u “sakrifikua” në atë masë për vendin saqë shkoi në komision parlamentar drejtpërdrejtë nga klinika, pas trajtimit me infuzion, dhe pastaj edhe udhëhoqi mbledhjen e kabinetit qeveritar! /Demokracia.com/