Lajme
Anëtarët e KQZ-së ngritin shqetësimet për votuesit jashtë vendit
Demokracia
18:35 | 03 Shkurt 2021

Share:

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbledhjen e sotme e kanë nisur me disa shqetësime me të cilat po ballafaqohen votuesit në diasporë.

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbledhjen e sotme e kanë nisur me disa shqetësime me të cilat po ballafaqohen votuesit në diasporë.

Sami Kurteshi nga radhët VV-së në KQZ-së tha se gabimet teknike të KQZ po ua pamundësojnë disa votuesve në mërgatë që të votojnë ndonëse kanë marr konfirmim, por që nuk janë në listat përfundimtare të votuesve jashtë vendit.

Ai kërkoi që këta votues këto lloj shqetësimet t’i adresojnë te KQZ përmes në një email të veçantë.

“Burri dhe gruaja kanë dërguar emaile janë konfirmuar janë verifikuar, burri është në listë, gruaja nuk është në listë votuese, po përmendi raste konkrete që janë me emra jo. Familja disa anëtarëshe, 12 janë në listë të gjithë janë bashkë kanë konfirmimin të tjerët nuk janë në listë, ose ka person që është verifikuar, konfirmuar po e gjen emrin e tij në listë e tij në Kosovë nuk është konfirmuar që është jashtë. Këto janë çështje që jam përpjekur t’i nxjerr nga ato mesazhe….Shumica janë çështje teknike ka edhe raste kur u janë shkruar për shembull numri personal i babait ka dal në numrin personal apo datëlindjen e djalit, janë gabime teknike të njerëzve nga presionit prej numrit të madh. Shumica nuk janë prej rasteve për PZAP-në ka raste pa konfirmim nga KQZ, pa thirrje telefonike por e ka gjetur vetën në listë….A ka mundësi që KQZ-ja me pas një emaile ku së paku këto raste lajmërohen”, theksoi Kurteshi.

Lidhur me këtë çështje, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhje, Valdete Daka tha se të gjithë votuesit që kanë marr konfirmimin mund të votojnë.

“Të gjithë të cilët konsiderojnë apo kanë marr konfirmimin se janë aprovuar votojnë dërgojnë fletëvotimin dhe pastaj meqenëse janë të konfirmuar vota e tyre do të numërohet sikur të gjitha votat tjera në QNR sikurse të gjitha votat tjera në fund të procesit. Ata të cilët janë të konfirmuar sepse është e mundur por ka raste që ka gabime teknike, përzierje të datave, të emrave, mbiemrave për shkak të ngutisë normalisht me mbi 100 mijë apo diku 170 mijë emra janë futur në data bazë edhe mund të ndodh që ka gabime teknike por kjo nuk ua ndalon qytetarëve që të votojnë dhe ta dërgojnë pakon e re”, tha Daka.

Të njëjtin shqetësim e ka paraqitur edhe anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti i cili tha se të gjithë qytetarët që kanë adresuar këto telashe teknike tek ai, i ka këshilluar që të bëjnë ankesë në PZAP.

“Kemi pasur vërshim edhe të mesazheve edhe të emaileve nga mërgata atë që nuk janë në lista përfundimtare të votuesve jashtë vendit, Dhe i bie që nuk janë në listë nuk janë konfirmuar. Problemi është i tillë që duhet të tregojë nëse ata janë konfirmuar dhe nuk janë në listë duhet të vendosen në listën plotësuese sepse unë të gjitha i kam udhëzua që të bëjnë ankesë në PZAP ua kam dërguar formularin dhe adresën që të bëjnë ankesë“, theksoi ai.

E Arianit Elshani anëtarë i KQZ-së nga PDK tha se diaspora është e pakënaqur që nuk janë të përfshirë në listat votuese.

“Që nga dita e djeshme kur është publikuar edhe lista votuese nga jashtë kam pasur edhe thirrje edhe mesazhe deri më tani duke komunikuar me diasporën e cila është e pakënaqur që emrat e tyre nuk janë përfshirë në listën votuese. Sigurisht kjo çështje që duhet të trajtohet edhe nga PZAP për këto ankesa që ka marr brenda kësaj periudhe, unë I kam udhëzuar secilin nga ata që të veproj përmes PZAP dhe të kërkoj përfshirjen në listën përfundimtare të votuesve në mënyrë që t’i mundësohet votimi”, theksoi Elshani.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariati i KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se këto telashe që i kanë paraqitur votuesit jashtë vendit janë të mundshme marr parasysh numrin e madh të e-maileve të pranuara.

“Ne jemi bazuar në të dhënat në të cilat i kanë shënuar mund të ketë lëshime rrugës sepse kemi pasur katër procese deri tek verifikimi. Kemi pasur procesin e parë hapjen e e-maileve dhe printimin e tyre që në bazë të kalkulimeve kemi printuar rreth 1 milion fleta për gjithë këta votues, pastaj verifikimi. Them se të gjitha këto raste do i shohim nuk them se nuk kemi gabime teknike, do i rishikojmë dhe do ta përgatisim edhe ndonjë raport me të gjitha këto shqetësime”, theksoi Elshani.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Alim Rama ka paraqitur një shqetësim tjetër për komisionerët në pjesën veriore.

“Qytetarët kanë pasur frikë me shkuar me dërgua komisionerë në pjesën veriore të Kosovës domethënë për komunat Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok nga frika qytetarët janë tërhequr…mendoj që kjo duhet me u adresua në mënyrë urgjente në organet e sigurisë se për shkak të frikës mos me pas mundësi me shkuar komisioneri ose anëtarë e KVV në një pjesë të Kosovë për mua është e papranueshme 20 e sa vjet pas luftës çka ka ndodhur ai është shqetësimi më i madh”, tha Rama.

Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim tha se deri tani kanë pranuar 12 mijë e 697 aplikime për vëzhgues, dhe deri më sot janë akredituar 1995 vëzhgues, ndërsa pjesa tjetër janë në shqyrtim e sipër.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u tha se votues me të drejtë vote për zgjedhjet e 14 shkurtit janë 1 milion e 794 mijë e 862 votues, ndërsa shtypen 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime, përfshirë edhe fletëvotime rezervë. /Demokracia.com/

Të ngjashme