Lajme
Andin Hoti: Takimi për të pagjeturit pritet të ndodhë këtë muaj, kërkojmë nga Serbia t’i hap arkivat e ushtrisë
Demokracia
15:26 | 26 Prill 2025

Share:

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë gjatë muajit prill pritet të mblidhen në Bruksel në kuadër të Komisionit të Përbashkët për të Pagjeturit.

Kështu ka bërë të ditur për “Front Online” kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

Hoti ka deklaruar se takimi mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e personave të pagjetur mbahet nën organizimin e Bashkimit Evropian.

“Datën e cakton BE, rrjedhimisht ne po shpresojmë qe brenda këtij muaji të mbahet takimi i parë”, tregoi Hoti.

Ai ka renditur kërkesat kyçe të palës kosovare.

“Zbatimi i plotë i deklaratës për persona të zhdukur, dhe termave të referencës së Komisionit të përbashkët që nënkupton hapje të arkivave të ushtrisë, policisë dhe inteligjencës serbe. Qasje e plote në territorin e Serbisë, për gërmime në lokacionet e dyshuara për varreza masive. Informacione të plota mbi 16 varrezat masive qe sipas një raporti të Serbisë, eksitojnë në Serbi”, ka thënë Hoti.

Hoti ka rikujtuar se Serbia kishte refuzuar pjesëmarrjen në takimin e planifikuar më 15 janar, por ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të shtyjë përpara kërkesat e saj.

“Serbia, siç dihet ka refuzuar takimin e paraparë me 15 janar, por kjo nuk na ndal neve të vazhdojmë të shpalosim kërkesat tona, qoftë edhe pa ta në BE”, deklaroi Hoti.

Hoti ka kritikuar edhe qasjen e faktorit ndërkombëtar ndaj Beogradit, që sipas tij “po e ledhaton Serbinë” në vend se të ushtrojë presion për drejtësi.

“Është shumë e qartë që Serbia refuzon të zbatoj marrëveshjen, për shkak të krimeve qe kanë bërë, dhe tendencën e vazhdueshme për të fshehur këto krime, është mendësia e njëjtë e pushtetit serb, ajo që ka qenë në 1999. Serbia po ledhatohet nga faktori ndërkombëtar, një qasje qe do duhej të ndryshohej komplet”, përfundoi Hoti për “Front Online”.

 

Të ngjashme