Pas zhvillimit të seancës së parë stërvitore, Kosova është duke e mbajtur një konferencë për shtyp.
Në këtë konferencë për shtyp janë paraqitur przgjedhësi Bernard Challandes dhe futbollisti Valon Berisha, raporton Demokracia.com.
Challandes është pyetur edhe për futbollistët Andi Zeqiri, Bastien Toma dhe Toni Domgjoni, të cilët përkundër zërave nuk erdhën te “Dardanët”.
Challandes thotë se është në kontakt me futbollistët në fjalë.
“Kam folur me të gjithë futbollistët, ata luajnë deri në fund të ciklit eliminator. Ne do të punojmë. Ka qenë gjithmonë përgjigjja e njejtë e tyre që do të luajnë deri në fund të kampanjës eliminatore”, ka deklaruar Challandes.
Tutje, Challandes ka folur edhe për tri ndeshjet e muajit mars që Kosova i zhvillon.
“Tani e fillojmë një kampanjë të re eliminatore, por para kësaj kemi një ndeshje miqësore me Lituaninë, e cila vjen në një kohë të përshtatshme për ne”, ka deklaruar Challandes, përcjell Demokracia.com.
“Shpresojmë që në kampanjën eliminatore të paraqitemi sa më mirë”, tregoi ai.
Nga ana tjetër, mesfushori i Kosovës, Valon Berisha ka thënë:
“Kemi një ndeshje miqësore mjaft të rëndësishme dhe është gjë e mirë pasi nuk jemi takuar që moti me futbollistët”.
“Mendoj se është me rëndësi t’ia nisim nga zero në vitin 2021”, shtoi Valon Berisha.
Kujtojmë se nesër (e mërkurë), Kosova luan ndeshjen miqësore me Lituaninë, para ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror “Qatar 2022” ndaj Suedisë dhe Spanjës. /Demokracia.com
https://www.facebook.com/watch/?v=282332613269336