OpEd
Anatomia e një gënjeshtre: Pse nuk po themelohet kuvendi?
Demokracia
20:34 | 17 Prill 2025

Share:

Fiton Dibrani

Një rrëfim për një përballje të pazhurmshme, ku fjalët janë pretekst dhe vonesa është mjet, e ku nuk fiton kush ka më shumë, por kush lodhet më pak.

1.

Gënjeshtra është një nga shpikjet më të vjetra të njerëzimit. Qyshkur njeriu mori guximin të emërtojë gjërat ndryshe nga ç’ishin, ajo u bë pjesë e pandashme e ekzistencës së tij. Nuk mund ta dimë me siguri, por ajo duhet të jetë krijuar ngadalë, siç krijohen sendet që njeriu nuk i kupton, por i ndjen.

Një përjashtim i vogël. Kështu nis gjithçka. Duhet të jetë thënë me zë të ulët, thuajse me ndrojtje, ajo shmangie fare e lehtë nga e vërteta, që nuk lëndonte askënd, që nuk e prishte rendin, por përkundrazi e ruante nga përplasjet e panevojshme. Dhe kështu u quajt: nevojë. Jo gënjeshtër, por nevojë. Fjala më e ndershme për të fshehur një të pavërtetë. Paskëtaj, një symbyllje. Syri që mbyllet për hir të qetësisë është më i vjetër se ligji. Historia njerëzore është përplot raste kur sytë janë mbyllur jo për të mos parë, por për të lënë gjithçka siç është. Dhe, përfundimisht një heshtje e qëllimshme. Jo ajo që vjen nga mosdija, as nga frika, por ajo që buron nga llogaritja. Ajo u quajt urtësi.

Kështu, krejt pavërejtshëm, pa ndonjë shpallje solemne, pa një datë të saktë në ndonjë kalendar të njohur, gënjeshtra kaloi kufirin e padukshëm që ndan njeriun nga shteti. Gënjeshtra nuk ishte më vegël mbijetese, por formë pushteti. U bë mekanizëm. Rrotë e nevojshme në një makinë që nuk ndalonte. Dhe meqenëse ishte bërë pronë shtetërore, nuk quhej më gënjeshtër.

Quhej rregull. Procedurë. Funksionim.

2.

Nuk ka gënjeshtër më të përkryer sesa ajo që thuhet me gjuhën e ligjit. Ajo nuk bërtet, nuk rreh tavolina, nuk shpall grushtshtete. Askush nuk e ndien në fillim. Askush nuk e quan me emër. Dhe megjithatë, ajo është aty: e pranishme në çdo vonesë, në çdo “keqkuptim procedural”, në çdo fjalë që nuk u tha, por që u la të nënkuptohej.

Për të qëndruar kaq e padukshme dhe njëkohësisht kaq e gjithpranishme, ajo ka nevojë për një sistem të ndërtuar posaçërisht për të. Për një rend ku heshtja quhet maturi, ku mospërgjigjja merr formën e kujdesit institucional, ku vonesa quhet procedurë në zhvillim dhe ku fjala “sipas rregullores” i mbivendoset gjithçkaje.

Në rregullore u thirr sot edhe kryesuesi i kuvendit, para se ta mbyllte krejt paarsyeshëm dhe ndoshta paligjshëm një seancë që, ndonëse quhej vazhduese, për nga kohështrirja mund të thuhet që sapo kishte nisur.

Duke e parë atë skenë të përçudshme, që ngjante si e nxjerrë nga universi kafkian, nuk munda të mos i kujtoj mbledhjet themeluese të Kuvendit të Kosovës, në dy dhjetëvjetëshat e fundit.

Në pamje të parë, secila prej është e ndryshme nga tjetra – emra të rinj, rrethana të reja, aleanca që ndryshojnë. Veç një gjë mbetet e pandryshuar: figura e kryesuesit të mbledhjes themeluese. Zyrtarisht, ai është më i vjetri ndër deputetët. Një figurë kalimtare, e vendosur nga vetë mosha dhe rregullorja – për të ruajtur njëfarë dinjiteti procedural në çastin e parë të themelimit të kuvendit.

Por në vend të kësaj, ai është kthyer në një instrument të domosdoshëm për partinë më të madhe, që përdoret kurdoherë që i duhen disa ditë më shumë, një justifikim më tepër, një vonesë që nuk do të quhet me emër. Ashtu siç prifti në lashtësi urdhëronte që një murtajë të mos shpallej derisa të zbutej, edhe kryesuesi i sotëm urdhëron që një votim të mos ndodhë, derisa numrat të përputhen me vullnetin e partisë.

Në të gjitha legjislaturat, ai është përmendur si përjashtim. Në të gjitha, ai ka qenë pjesë e planit. Ndonjëherë, më shumë sesa kryesues, ai është kthyer në gardian të krizës – i vendosur jo për të ndihmuar, por për të vonuar, për të fshehur rrëmujën me një fjalë të matura, me një lexim të zgjeruar të rregullores, me një nënkuptim që të gjithë e kuptojnë, por asnjëri si ai. Sepse vetëm ai, dhe të tijët, e dinë saktësisht se çfarë duhet të kuptohet. Pra, çfarë nuk duhet të kuptohet.

3.

Në rastin e sotëm, gjithçka nisi me një kërkesë për konsultë – një shpikje e re, e paemërtuar më parë në asnjë rregullore për seancë themeluese, por që u shfaq papritmas si të kishte qenë aty prej gjithmonë. Nuk ishte vendim, nuk ishte refuzim, nuk ishte as bllokim – ishte thjesht konsultë. Fjala më e butë për të mos vepruar. Pastaj, me të njëjtën qetësi, seanca u mbyll. Jo me debat, jo me përplasje, por me një arsyetim që vetë tingëllonte si një nënkuptim i gjatë: se partitë e tjera nuk ishin të gatshme të merreshin vesh me Lëvizjen Vetëvendosje.

Por pas gjithë këtij arsyetimi fshihej një e vërtetë: Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte numrat. As për kryetarin e Kuvendit. As për qeverinë.

Në të vërtetë, problemi nuk ishte thjesht se s’i kishte votat. Problemi ishte më i ndërlikuar. Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte votat ashtu siç donte t’i kishte. Sepse midis ditës së djeshme dhe ditës së sotme, kishte ndodhur diçka. Diçka që nuk hynte në rendin e ditës, që nuk ishte në asnjë komunikatë, por që i kishte prishur balancat, sërish.

Dy deputetë nga radhët e pakicave, të cilëve Albin Kurti u kishte premtuar vende në qeveri, kishin ndërruar mendje. Apo më saktë: u ishte ndërruar mendja. Mbrëmë vonë ata kishin pasur takime me përfaqësues të një prej shteteve më të fuqishme mike u kishin kërkuar të mos bëheshin pjesë e qeverisë. Të mos merrnin poste. Të qëndronin thjesht deputetë. Sepse vetëm si deputetë do të kishin votën. Dhe vetëm me votën në dorë, do të kishin kontroll mbi rrjedhën e ngjarjeve. Pyetjes “pse?”, nuk iu dha përgjigje. Nuk ishte nevoja. Ndonjëherë, përgjigjet nuk thuhen me fjalë, por me heshtjen e atyre që të flasin. Që të urdhërojnë.

Kjo lëvizje e papritur ia prishi planet Albin Kurtit. Sot duhej të ishte një ditë e qetë, e paracaktuar. Sipas llogarisë që ishte bërë, kjo duhej të ishte dita kur Fatmir Limaj do të zgjidhej kryetar i Kuvendit, dhe me atë akt do të hapej rruga për formimin e qeverisë së re.

Pra, problemi, ndryshe nga sa u tha, nuk ishte te dorëheqjet. Ato nuk ishin pengesa, as barrierë kushtetuese. As shkak real për ndërprerje. Ishin vetëm preteksti – dhe si çdo pretekst i përdorur mirë, ai shërbente njëkohësisht të dy palëve.

Nga njëra anë, Albin Kurti i përdorte për të blerë kohë. Jo për ta kuptuar situatën, por për ta rregulluar atë. Kohë për të bindur ata që hezitonin, për të ndrequr marrëveshje që ishin prishur natën.

Nga ana tjetër, opozita qëndroi e heshtur. Ajo e pranoi vonesën, madje nuk është se kërkoi shumë shpjegime. Sepse në këtë lojë të zgjatur, sa më shumë kohë të kalonte, aq më afër ishte mundësia që Kurti të dështonte vetë. Të rrëzohej pa e rrëzuar. Të binte pa u shtyrë.

Kështu, dorëheqjet nuk ishin më gjest zyrtar. U shndërruan në mjet taktike. Në justifikim të përbashkët. Një pushim i heshtur, gjatë të cilit të gjithë vepronin në prapaskenë, ndërsa në sallë sundonte zëri i procedurës.

4.

Në dukje, gjithçka është në vendin e vet. Seanca është thirrur. Deputetët janë aty. Procesi ka nisur. Por përtej kësaj fasade qetësie, diçka e padukshme ka ndryshuar kahje. Dhe kjo është gjithmonë shenja e parë se një lojë tjetër ka filluar – një lojë që nuk shpallet, por që ndjehet. Nuk bëhet me deklarata, por me zhvendosje të heshtura.

Albin Kurti e ka kuptuar këtë. Edhe opozita gjithashtu. Sepse ajo që po luhet nuk është më çështje numrash apo marrëveshjesh të thjeshta. Nuk është më fjala për një kryetar kuvendi apo për një formulë qeverisëse. Bëhet fjalë për një përballje më të gjatë, më të thellë, më të ngadaltë.

Të dyja palët po blejnë kohë. Por për arsye të ndryshme. Kurti për të mbajtur në këmbë një shumicë që po i rrëshqet nën këmbë, për të rikthyer fije të këputura marrëveshjesh, për të siguruar se asgjë nuk do të ndodhë para se gjithçka të jetë sërish nën kontrollin e tij. Opozita, përkundrazi, pret. Jo nga pasiviteti, por nga bindja e vjetër se shpesh është e mjaftueshme që kundërshtari të lodhet vetë. Të humbë para se të nisë garën.

Mirëpo, loja nuk kufizohet brenda vendit. Një nënkryetar i një partie shqiptare, që nuk është as e vogël dhe as e parëndësishme, është vënë përballë një paralajmërimi të qartë – jo të artikuluar si kërcënim, por të dhënë me tonin e atyre që nuk janë mësuar të përsërisin: të mos ketë asnjë përpjekje për koalicion me Albin Kurtin.

Sepse nuk është fjala për një qeveri. Është fjala për qëndrueshmëri. Afatgjatë.

5.

Në këtë vend, fitorja rrallëherë vjen me shpallje. Më shpesh, ajo vjen me tërheqjen e ngadaltë të tjetrit. Me një dorë që nuk ngrihet më. Me një zë që nuk kërkon fjalën. Në këtë vend, shumica rallëherë fitohet. Zakonisht mbahet. Dhe nëse mbahet mjaftueshëm gjatë, ajo bëhet e padiskutueshme. Edhe kur nuk ekziston.

Kuvendi ende nuk është themeluar. Por loja ka kohë që nisur. Dhe – siç mund ta keni kuptuar deri tani – nuk është çështje rregulloreje. Është çështje qëndrimi. Kush do të qëndrojë më gjatë. Kush do të lodhet i pari. Dhe kush do të heshtë i fundit.

Të ngjashme