Sport
Anamorava nën “ethet” e derbit: Statistikat, historiku i dueleve direkte dhe parashikimet e njohësve për sfidën Drita – Gjilani
Demokracia
19:11 | 08 Mars 2022

Share:

“Ethet” e derbit më të madh në Kosovë kanë filluar të ndjehen te qytetarët e Komunës së Gjilanit. Kanë mbetur më pak se 48 orë deri në kohën kur dy skuadrat e këtij qyteti Drita dhe Gjilani synojnë “shtafetën” e kryeqendrës së Anamoravës, shkruan Demokracia.com.

Autor: Amir Rama

Të enjten me fillim nga ora 13:00, rrugët e qytetit çojnë në drejtim të stadiumit, ku dy ekipet rivale synojnë të ngjyrosin qytetin me njërën nga ngjyrat që simbolizojnë dy klubet.

Dy skuadrat e qytetit sa herë që përballen mes vete dhurojnë spektakël në fushë, derisa tifozët e tyre ‘Intelektualët’ dhe ‘Skifterat’ përkujdesën për atmosferë elektrizuese në tribuna e cila nuk ka munguar asnjëherë.

Drita dhe Gjilani do të ballafaqohen në derbin numër 39-të në histori.

Drita ka bilanc më të mirë sa i përket ndeshjeve kampionale, ku ka marrë 14 fitore, 12 herë kanë përfunduar ndeshjet pa fitues dhe 12 fitore ka Gjilani.

Historiku i rezultateve kampionale të derbit që nga pas lufta

Derbi i parë ndërmjet Dritës dhe Gjilani ishte luajtur në edicionin e largët 1999/2000, të cilën e kishte fituar Drita me rezultat bindës.

Kjo sfidë e madhe e futbollit kosovar kishte pauzuar disa herë për faktin se herë Drita, e herë Gjilani ishin pjesë e Ligës së Parë, duke mos mundur të takohen.

Ky derbi dy herë u zhvillua edhe në Ligën e Parë të Kosovës, ku pavarësisht se dy skuadrat bënin gara aty, interesimi i jashtëzakonshëm nuk mungoi, kur për një herë mori vëmendje më shumë se takimet që luheshin në elitë.

1999/00: Gjilani-Drita 0-3 dhe Drita-Gjilani 3-1;

2000/01: Drita-Gjilani 0-0 dhe Gjilani-Drita 3-0 (rezultat zyrtar ngase Drita nuk pranoi të luante);

2001/02: Gjilani-Drita 0-1 dhe Drita-Gjilani 3-0;

2002/03: Drita-Gjilani 0-0 dhe Gjilani-Drita 1-6;

2003/04: derbi nuk u zhvillua në kampionat, pasi që Gjilani bojkotoi Superligën;

2004/05: derbi nuk u zhvillua në kampionat, pasi që Gjilani ishte në ligen e parë;

2005/06: derbi nuk u zhvillua në kampionat, pasi që Drita luajti në ligën e parë;

2006/07: derbi nuk u zhvillua në kampionat, pasi që Drita luajti në ligën e parë;

2007/08: Drita-Gjilani 1-1 dhe Gjilani-Drita 2-0;

2008/09: Gjilani-Drita 2-1 dhe Drita-Gjilani 1-3;

2009/10: derbi nuk u zhvillua në kampionat, pasi që Drita luajti në ligen e parë;

2010/11: Drita-Gjilani 0-0 dhe Gjilani -Drita 0-0 (hera e parë që derbi u zhvillua në Ligën e Parë).

2011/12: Gjilani – Drita 0-1, Drita-Gjilani 2-0 dhe Drita-Gjilani 1-2

2012/13: derbi nuk u zhvillua në kampionat, pasi që Gjilani luajti ne ligen e parë;

2013/14: derbi nuk u zhvillua në kampionat, pasi që Gjilani luajti ne ligen e parë;

2014/15: derbi nuk u zhvillua në kampionat, pasi që Gjilani luajti ne ligen e parë;

2015/16: Drita – Gjilani 0-3, Gjilani – Drita 0-2, Drita – Gjilani 0-1

2016/17: Drita – Gjilani 0-1, Gjilani – Drita 1-1, Gjilani – Drita 0-1

2017/18: Drita – Gjilani 1-1, Gjilani – Drita 0-0, Gjilani – Drita 1-1

2018/19: Gjilani – Drita 1-0, Drita – Gjilani 3-1, Gjilani – Drita 0-0

2019/20: Gjilani – Drita 0-1, Drita – Gjilani 2-0, Drita – Gjilani 0-2

2020/21: Drita – Gjilani 0-0, Gjilani – Drita 2-3, Drita – Gjilani 2-0, Gjilani – Drita 1-1

2021/22: Drita – Gjilani 0-2, Gjilani – Drita 1:0, …

Ecuria dhe forma momentale e dy ekipeve dhe renditja në tabelë

Derbi numër 39-të i ka gjetur dy skuadrat me forma të ndryshme në pesë ndeshjet e fundit në kampionat.

Gjilani ka bilanc më të mirë se Drita në pesë përballjet e fundit në Superligën e Kosovës në futboll. “Kuqebardhët” kanë tri fitore dhe dy barazime, krahas Dritës e cila ka dy fitore, një barazim dhe në dy ndeshjet e fundit ka pësuar disfatë.

Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi ka 46 pikë në pozitën e dytë tabelore, teksa të besuarit e Ardian Nuhiut kanë grumbulluar 41 pikë dhe pozicionohen në vendin e tretë.

Sermaxhaj: A do të fitoj derbin Drita përmes lojës ekipore apo Gjilani përmes cilësive individuale mbetet ta tregoj fusha e lojës

Trajneri i mirënjohur kosovar, Sami Sermaxhaj në një prononcim për Demokracia.com e ka vlerësuar derbin e Anamoravës, ndërsa ka dhënë edhe prognozën se si do të mbyllet ky derbi.

Derbi Drita – Gjilani është një nga derbit që zgjon interesimin më të madh, jo vetëm nga komuniteti sportiv mbarë shqiptar, por edhe nga shoqëria civile e qytetit të Gjilanit. Prandaj në këtë derbi përveq rivalitetit brenda vijave të fushës, ekziston një rivalitet i zjarrtë edhe mes tifozërive të dy klubeve dhe kur kësaj i shtojmë edhe renditjen tabelore aktuale gjë që e bënë edhe më interesant dhe njëkohësisht edhe më të rëndësishëm rezultatin e këtij ballafaqimi. Mendoj që Drita ka vendos një model loje ku fitoren dëshiron ta arrijë përmes lojës ekipore dhe të rrjedhshme, kurse këtë vit Gjilani ka arritur të mbrohet shumë fortë me repartin e mbrojtjes dhe mesfushës dhe të shënoj përmes cilësive individuale të lojtarëve sulmues sidomos me Prognin që ka qenë përcaktues i fitoreve të Gjilanit, qoftë përmes aksioneve sulmuese apo situatave standarte. A do të fitoj Drita përmes lojës ekipore apo Gjilani përmes cilësive individuale mbetet ta tregoj fusha e lojës, por kësaj radhe prognozoj që ky derbi të përfundojë me rezultat të barabart dhe Gjilani të vazhdoj edhe më tutje të jetë ekip e vështirë për tu mposhtur”, ka deklaruar trajneri Sami Sermaxhaj të martën për Demokracia.com.

Krasniqi: Derbi Drita – Gjilani është hijeshia e kampionatit, “kuqebardhët” festojnë në fund

Shpatmal Krasniqi, gazetari i njohur i sportit dhe redaktor në “Zëri” vlerëson se derbi gjilanas është hijeshia e kampionatit. Sipas tij, pas 90 minutave do të jenë “kuqebardhët” ata që do të festojnë.

Dueli Drita – Gjilani është hijeshia e kampionatit. Uroj dhe shpresoj se do të ruhet nga të gjithë qytetarët e Gjilanit dhe jo vetëm. Kjo ndeshje është me rëndësi të madhe pasi që të dyja ekipet po luftojnë për titullin kampion. Drita është më në presion pasi ka mbetur më prapa liderit Ballkanit“, theksoi Krasniqi për Demokracia.com, duke shtuar:

Derbi Drita – Gjilani është ndeshje e madhe dhe shumë e rëndësishme për të dyja ekipet. Mendoj se kësaj radhe qytetin e Gjilanit do ta sundojë SC Gjilani. Duket se trajneri, Ismet Munishi ia ka marr dorë dorën derbit pasi që ka fituar dy herë ndaj Dritës në këtë edicion“. /Demokracia.com/

Të ngjashme