Që nga viti 2016, kur Shkupi intensifikoi përpjekjet për zgjidhjen e problemit të emrit me Athinën, Rusia ka rritur dukshëm stafin e saj diplomatik në Maqedoninë e Veriut. Është e qartë se Moska nuk ishte e interesuar për zgjidhjen e çështjes me Greqinë, sepse kështu u hapën dyert për anëtarësimin e vendit në NATO.
Deri në vitin 2018, kur dialogu midis dy vendeve mori një epilog pozitiv, ndikimi rus në vend ishte i pranishëm në formën e “soft power”, përmes qendrave të kulturës, investimeve, arsimit, etj. Pas miratimit të Marrëveshjes së Prespës në të njëjtin vit, e cila përfundimisht zgjodhi problemin me Greqinë dhe hoqi veton për NATO-n, Rusia filloi një luftë hibride kundër vendit. Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, madje njoftoi publikisht se me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut bëhet një objektiv legjitim i Rusisë.
Kjo në fakt po ndodh – regjimi në Moskë po përdor të gjitha mjetet e mundshme për të ruajtur dhe forcuar disponimin pro-rus në vend. Kjo mbështetje i nevojitet për t’i orientuar qytetarët e Maqedonisë së Veriut kah agjenda e saj si dhe për të ndërtuar një qëndrim publik dominues pro-rus për çështjet aktuale të sigurisë dhe gjeopolitike. Hapi tjetër është kahëzimi i sa më shumë votuesve drejt një partie që është ose pro-ruse ose drejt një subjekti, ideologjia e së cilit përshtatet me agjendën ruse në rajon.
Se Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë në qendër të interesit të Rusisë e dëshmon edhe hulumtimi i Qendrës për Studim të Demokracisë, një think-tank me seli në Sofje të Bullgarisë. Kjo qendër ka monitoruar numrin e postimeve që kanë bërë në Facebook ambasadat dhe misionet diplomatike të huaja në vendet e Ballkanit. Është zgjedhur pikërisht Facebook-u për shkak se mbi 90% e trafikut të mediave sociale në Evropën Juglindore zhvillohet në në këtë rrjet.
Hulumtimi ka treguar se Maqedonia e Veriut është i dyti në Evropën Juglindore sipas postimeve të bëra nga ambasada Ruse në këtë vend. Misionet diplomatike të Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë, Rusisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së në Maqedoninë e Veriut kanë publikuar rreth 7,500 postime në vitin 2021 dhe 2022, prej të cilave 3,943 janë të misioneve diplomatike ruse në vend. Para Maqedonisë së Veriut me më shumë postime nga diplomatët rusë është Romania, ku në dy vitet e fundit janë publikuar 7193, që përbëjnë rreth 70 përqindshin e postimeve totale të të gjitha misioneve diplomatike të akredituara në këtë vend.
Sa u përket ndjekësve, më shumë ka Ambasada e SHBA-ve me 120 mijë, në krahasim me atë të Rusisë që numëron vetëm 11,809 ndjekës. Por, gjërat ndryshojnë kur bëhet fjalë për ndërveprimin me postet që bëjnë këto ambasada. Edhe pse ka dukshëm më pak ndjekës, Ambasada ruse ka 295,899 ndërveprime, një numër më i madh sesa ai i Ambasadës së SHBA-ve, e cila numëron 203,218 ndërveprime.
Në bazë të këtyre ndërveprimeve, – që nënkuptojnë pëlqimet, komentet dhe shpërndarjet, – faqja në Facebook e Ambasadës Ruse në Maqedoninë e Veriut është gjithashtu në krye të Ballkanit nëse ato i analizojmë për kokë banori. Në Bullgari ka më shumë ndërveprime të përdoruesve të postimeve në faqen e ambasadës ruse, pra 2.3 milionë ndërveprime, e ndjekur nga Greqia me 770,000, Rumania me 517,000 dhe Maqedonia e Veriut me 296,000.
Kur këto të dhëna pjesëtohen me numrin e banorëve, rezulton se në Bullgari çdo i treti banor ka ndonjë ndërveprim me postet e misioneve diplomatike ruse, në Maqedoni çdo i shtati banor, në Greqi çdo i 14-ti dhe Rumani për çdo 35-ti banor.
Sa i përket numrit të lajmeve të publikuara në media, e që për burim e kanë ndonjë nga mediet shtetërore të kontrolluara nga regjimi i Kremlinit, Bullgaria dhe Serbia qëndrojnë në krye të listës. Gjatë vitit 2022 mediet në Bullgari kanë publikuar 6.090 tekste, ku si burim kanë pasur mediet RT, RIA Novosti, Sputnik ose TASS, ndërkohë që në Serbi janë publikuar 4,674 artikuj. I treti në listë është Mali i Zi me 3,211 tituj, Kroacia me 2,362, Bosnjë e Hercegovina me 1,349, Kosova me 1,157, Shqipëria me 649 dhe Maqedonia e Veriut me 615 tekste ku si referencë kanë median e kontrolluar nga regjimi në Rusi.
Në bazë të këtyre numrave, duket se Rusia në Maqedoninë e Veriut shfrytëzon më shumë Facebook-un dhe rrjetet tjera sociale për të ndikuar, e më pak mediet profesionale. Periudha 2008-2018 e kontrollit të fortë të medieve profesionale nga ana e pushtetit të Nikolla Gruevskit ka luhatur besimin e opinionit publik në to, gjë që i bën më pak atraktive për përhapjen e propagandës ruse.
Madje në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë media, as tradicionale e as online, që është në pronësi të ndonjë biznesi apo shtetasi rus. Ndikimi nëpërmjet grupeve të hapura e të mbyllura, faqeve, influencerëve dhe forumeve të ndryshme në Facebook vlerësohet se është treguar si strategji më efikase, sidomos në përhapjen e lajmeve të rreme.
Që nga anëtarësimi në NATO në mars 2020, Maqedonia e Veriut ka qenë një objektiv i vazhdueshëm i luftës hibride. Dhe do të mbetet edhe në periudhën e ardhshme. Shkak për këtë është fakti se si anëtari më i ri i NATO-s, ky vend shihet si “Thembra e Akilit” e kësaj Aleance. /The Geopost/