Lajme
Analizë: Përparësitë dhe dobësitë e kandidatëve për kryetar të LDK-së
Demokracia
16:05 | 12 Mars 2021

Share:

Dita e diel e kësaj fundjave është dita “D” për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ky subjekt politik do ta mbajë Kuvendin Zgjedhor për ta zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e re.

Kryetari i deritashëm, Isa Mustafa, ka dhënë dorëheqje për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë zgjedhjes së lidershipit të ri të partisë. Deri më tani, për të parin e këtij subjekti politik kanë paraqitur kandidaturat e tyre Lutfi Haziri, Anton Çuni, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa.

Demokracia.com analizon përparësitë dhe dobësitë e katër kandidatëve për kryetar të LDK-së:

Lutfi Haziri

 

Është një nga pretendentët kryesorë për kryetar të LDK-së. Si përparësi të tij konsiderohen mbajtja dhe ruajtja e strukturave të vjetra udhëheqëse, të cilat Lutfi Haziri mund t’i unifikojë për një angazhim më të madh në zgjedhjet lokale. Ardhja e tij në krye të LDK-së ofron një tranzicion të gjeneratave në mënyrë të ngadaltë, nga e vjetra tek një gjeneratë e re. Kjo është filozofi tipike rugoviane, që të lëvizet ngadalë në procese të gjata dhe pa konfrontime. Humbja e primatit politik në Komunën e Gjilanit në zgjedhjet e 14 shkurtit, ku Lutfi Haziri vazhdon të jetë kryetar, është dëshmi e humbjes së momentumit të partisë dhe kjo e ka dëmtuar pozicionin e tij politik. Prandaj, pengesë kryesore për zgjedhjen e Lutfi Hazirit është fryma e krijuar më 14 shkurt, e cila nuk favorizon brezin e mesëm, por vetëm brezin e ri.

Anton Çuni

Ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni, armë kryesore politike ka mbajtjen gjallë të frymës ushtarake përbrenda LDK-së, fushë që gjithmonë është konsideruar deficit kryesor i kësaj partie krahasuar me partitë tjera që janë konsideruar si krah i luftës. Por, gjykuar sipas rezultateve në zgjedhjet e fundit, koha e luftës është pak e rëndësishme për elektoratin. Kjo mund ta bëjë Qunin kandidatin me më së paku mundësi në këtë garë të brendshme. Quni kandidimin e tij mund ta shfrytëzojë për pozicionim brenda LDK-së. Duke pasur pas vete disa delegatë, ai mund të negociojë me pretendentin kryesor për ta përforcuar pozicionin e tij si pjesë e LDK-së.

Besian Mustafa

Është një i ri me shkollim të mirë dhe me “pedigre” familjare në LDK, që i krijon perspektivë të mirë në këtë subjekt politik. Mustafa ka një mbështetje shumë të madhe nga CDU-ja e Gjermanisë dhe është parë si favorit për ta marrë lidershipin e LDK-së në të ardhmen. Por, duket se ende nuk është koha e tij. Ai hyri vonë në garë dhe nuk është dalluar shumë deri më tani. Kandidaturën e tij disa e shohin më tepër si plan për ta penguar ardhjen e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së dhe si favor për Lutfi Hazirin, sesa një kandidaturë serioze për të parin e LDK-së.

Lumir Abdixhiku

Është kandidat serioz për ta marrë lidershipin e LDK-së. Lumir Abdixhiku ka kohë që është shfaqur si një nga figurat e pakënaqura me partinë brenda vetë LDK-së. Kur Vjosa Osmani ishte shkëputur nga LDK-ja, pritjet ishin që edhe Abdixhiku do t’i bashkohej asaj. Konkurrent i tij serioz në këtë të diel pritet të jetë vetëm Lutfi Haziri, kurse pengues Besian Mustafa.

Nëse Lumir Abdixhiku arrin të bëhet kryetar i LDK-së, nga ai mund të pritet të bëjë reforma që do të bëjnë shkëputje në mënyrë rapide nga strukturat e vjetra. Abdixhiku do të bëjë përpjekje që ta rikthejë LDK-në në skenë si parti serioze për t’u rikthyer në pushtet. Madje ka folur edhe për kthimin e Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ky do të ishte dëmi i parë serioz që do të mund t’ia bënte Lëvizjes Vetëvendosje, si një nga rivalët kryesorë politikë.

Analistët politikë në Kosovë presin që zgjedhjet e LDK-së do të reflektojnë edhe te partitë e tjera politike./Demokracia.com/

Të ngjashme