Lajme
Analizë: Opozita sfidon Kurtin me programin e tij
Demokracia
21:36 | 15 Mars 2021

Share:

Tandemi Kurti – Osmani, pas kërkesës publike të kryetarit në detyrë të PDK-së, sot kanë organizuar takime të ndara me lidershipin e PDK-së dhe AAK-së, për t’u konsultuar rreth krijimit të institucioneve të reja, veçanërisht zgjedhjes së presidentit të ri.

Takimin me Kurtin e Osmanit përkohësisht e ka refuzuar kryetari i sapozgjedhur i LDK-së, i cili u ka caktuar atyre takim të ri në ditën e premte.

Ftesat e Kurtit dhe Osmanit për opozitën e re, ndonëse në fillim dukej sikur u bënë vetëm formalisht, sa për t’ua bërë partive opozitare më të lehtë qëndrimin në seancën e zgjedhjes së presidentit, si duket nuk u shkuan nikoqirëve siç kishin pritur, shkruan Demokracia.com.

Fituesi i zgjedhjeve duket se ka shpresuar që sjellja e opozitës do të jetë jokonstruktive, siç ishte sjellja e tij me vite të tëra si opozitë, por që nga sot Kurti e ka kuptuar që do ta ketë më sfiduese qasjen politike të opozitës së re.

Nga takimet e deritanishme me liderë të opozitës shihet se kjo opozitë do të performojë më ndryshe se që kishte pritur Kurti, që qasja e saj do të ishte pa substancë dhe me sjellje jokonformiste e bojkotuese ndaj themelimit të institucioneve të vendit.

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi nga Kurti e Osmani përgjigje për shumë tema të rëndësishme, për të cilat sa Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë kishte qëndrime shumë të qarta dhe nga ai opozitarizëm siguroi rritjen më të madhe të votave në historinë politike të Kosovës. Tani, PDK-ja, si duket po e sheh të domosdoshme dhe demokratike që për të ofruar përkrahje, fillimisht të marrë përgjigje se cila do jetë qasja e Qeverisë së re për temat e ndjeshme, të cilat Kurti i kishte kundërshtuar edhe me dhunë politike.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paralajmëroi një qasje pak më ndryshe, duke njohur rezultatin e zgjedhjeve, por duke ritheksuar që mazhoranca e re nuk ka vota të mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit. Nga sa po shihet, AAK-ja pa ndonjë ofertë joshëse nuk do t’ia bëjë kuorumin Kurtit e Osmanit për zgjedhjen e të parit të shtetit.

Ende nuk është e qartë se cila do të jetë kërkesa e LDK-së pas zgjedhjes së liderit të ri, por nga deklaratat e këtyre dy ditëve mund të vlerësohet se as me këtë subjekt politik nuk e pret ndonjë qasje e lehtë opozitare.

Lideri i ri i LDK-së qysh në ditën e parë ua ndryshojë kohën e takimit Kurtit dhe Osmanit.

Qasje kërkuese duket se do të kenë edhe komunitetet, në mënyrë që t’i bashkohen kësaj qeverie, që për nga numrat nuk e ka të lehtë krijimin e institucioneve.

Deri më tani, nga Kurti është kërkuar të dihet nëse ka hequr dorë nga dhuna si mjet politik. Është kërkuar qëndrim për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nëse do ta mbajnë premtimin se nuk do të fillojnë dialog me Serbinë pa një kërkimfalje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur. Po ashtu, qëndrim është kërkuar edhe për Asociacionin e Komunave Serbe, konkretisht nëse do ta sjellin në Parlament anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit, por edhe për pozicionimin e tyre në lidhje me demarkimin e kufirit me Malin e Zi, Marrëveshjen e Uashingtonit dhe Mini-Shengen, pa njohjen e plotë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Nga Kurti dhe Osmani, po ashtu, është kërkuar të dihet nëse Kosova do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe të kërkojë njohje nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke i dhënë kështu fund pezullimit të deritashëm të ekzekutivit të mëhershëm.

Trashëgimia politike e Kurtit që nga viti 2007 është edhe kundërshtimi i Planit të Ahtisaarit, i cili është në thelb karakteri kushtetues i Kosovës dhe nga ai është kërkuar të dihet nëse ka hequr dorë nga ky qëllim.

Një premtim tjetër ka qenë edhe reciprociteti dhe është kërkuar të dihet nëse do ta rikthejnë reciprocitetin me Serbinë dhe nëse do të jetë reciprocitet administrativ apo do të zbatohet reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar.

Kurtit dhe Osmanit u është kërkuar qëndrim edhe rreth kundërshtimit të marrëveshjes së Brukselit lidhur me fusnotën, nëse do ta anulojnë atë marrëveshje apo do të tërhiqen nga fusnota, siç kanë premtuar në të kaluarën./Demokracia.com/

Të ngjashme