Lajme
Analizë: LDK pensionon “gardën e vjetër”, u jep shembull partive tjera
Demokracia
19:33 | 14 Mars 2021

Share:

Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, më nuk mund të tallet me LDK-në duke thënë se “ju ka mbetur vetëm edhe ta bëjnë Ismet Beqirin, kryetar të Forumit Rinor të LDK-së”.

LDK-ja ka zgjedhur kryetar Lumir Abdixhikun, 38 vjeçar, duke sjellë në krye të partisë atë që është dalluar më shumë me deklaratat për nevojën e shkëputjes nga qeverisja e deritashme e partisë. Kështu, ardhja e Lumir Abdixhikut në krye të këtij subjekti politik, e “pensionon” tërësisht “gardën e vjetër”. Mungesa e reflektimit ndaj nevojave dhe preferencave të votuesve, bëri që “garda e vjetër” të pensionohet pa dëshirën e tyre dhe pa dinjitetin e duhur, që brezi i ri çdo kund në një tranzicion normal përkujdeset që t’ua jep atyre.

Për më tepër, kjo mungesë reflektimi bëri që ky subjekt politik me traditë 40 vjeçare të bie në humnerë politike në zgjedhjet e fundit, duke marrë vetëm afër 13 për qind të votave.

Megjithatë, saktësisht një muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe shumë më shpejt se subjektet e tjera politike, LDK-ja ndërmori hapin më të rëndësishëm drejt një reforme të thellë të partisë, duke ia besuar lidershipin një udhëheqësi të ri, jo vetëm në moshë, por edhe me aktivitet partiak brenda LDK-së. Ky zhvillim i ri politik, jo vetëm që hap një kapitull të ri në LDK, por do të reflektojë edhe në partitë tjera, PDK dhe AAK, që gjithashtu nuk kaluan mirë në zgjedhje dhe do e shtojë presionin që ta zgjedhin lidershipin e ri. Madje, nëse nuk reformohet shpejt PDK-ja, ka shumë gjasa që LDK i merr asaj edhe primatin opozitar në skenën politike.

Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij të parë si Kryetar i LDK-së, sulmoi “populizmin” dhe “majtizmin”, duke paralajmëruar ballafaqim me Vetëvendosjen, e cila pritet ta formojë Qeverinë. Opozita e Abdixhikut ndaj Qeverisë Kurti nisi menjëherë. Ai deklaroi se nuk e ka ndërmend t’i shkojë nesër në takim Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, të cilëve tashmë ua caktoi edhe ditën për një takim të ri.

Një fat të njëjtë politik si të “gardës së vjetër” në LDK mund ta kenë edhe shumë figura politike brenda PDK-së dhe AAK-së, nëse këto subjekte politike opozitare nuk reformohet shpejt. Sa më parë që edhe ato ndërmarrin veprime reformuese, aq më të lehta do t’i kenë reformat dhe aq më pozitive mund t’i kenë edhe rezultatet. Megjithatë, në këtë periudhë kohore është vështirë të pritet që edhe subjektet tjera politike do ta ndjekin një shembull të tillë, duka ia besuar udhëheqjet e partive të tyre prurjeve të reja, siç bëri LDK-ja. Në të njëjtën kohë, zëri i brendshëm dhe nevoja për reforma nuk lë hapësirë për tranzicione të gjata dhe kërkon ndryshim të menjëhershëm.

Në ndërkohë, LDK të dielën doli e para në proceset e brendshme reformuese. Mbetet të shihet sesi do ta dinamizojë partinë kryetari i ri Abdixhiku dhe si do të përballet me sfidat brenda partisë. Ndër sfidat e para është t’i sistemojë të gjitha grupimet politike brenda kësaj partie në një vizion dhe mision të përbashkët. Tjetra që nuk pret është përgatitja për zgjedhjet lokale, që priten të mbahen në vjeshtë. Në këto dy sfida do të matet fuqia e tij politike dhe suksesi në reformimin dhe kthimin e besimit të votuesve te partia. /Demokracia.com/

Të ngjashme