Lajme
Analisti kroat: Kur Vuçiqi mbështetet për muri ose perëndimoret i vendosin kushte, ai shpik armiq
Demokracia
12:22 | 03 Nëntor 2022

Share:

Tensionimi i situatës në Ballkanin Perëndimor po shihet si ndikim i Rusisë përmes Serbisë dhe disa shteteve tjera, si Mali i Zi. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po vlerësohet se po “krekoset” për t’u viktimizuar para ndërkombëtarëve.

Ante Letica, ekspert i sigurisë në Kroaci, ka komentuar për televizionin serb N1 këtë çështje e po ashtu edhe ngritjen e MIG-ëve nga Ushtria Serbe pasi thanë se panë dronë afër kufirit me Kosovën.

“Kjo është e zakonshme, kur Aleksandar Vuçiqi vihet para një muri ose kur aleatët perëndimorë i vendosin kushte dhe nuk e vlerësojnë pozitivisht politikën dhe mënyrën e raporteve të tij ndaj Rusisë dhe agresionit, atëherë ai shpik armiq”, komentoi Letica, ndërsa për situatën në Serbi tha:

“Kështu e shpiku atentatin ndaj tij, për spiunët rusë dhe amerikanë në Serbi, për spiunët kroatë, ai vazhdimisht shpik për të larguar vëmendjen e popullit serb nga problemet që janë në Serbi, dhe një nga problemet është fakti se Kosova është një realitet politik dhe një realitet tjetër dhe pa njohjen e Kosovës, Serbia nuk mund të ecë as drejt Bashkimit Evropian. Ursula von der Leyen tha, se Serbia si kandidate për anëtarësim në BE duhet të harmonizojë politikën e saj të sigurisë dhe politikën e jashtme, me atë të BE-së. Ata këtë e kanë bërë shumë pak. Në mungesë argumentesh, Vuçiqi shpik armiq dhe dronë – me siguri janë disa dronë komercialë që shkatërrohen lehtësisht, por kjo nuk është e mirë as për rajonin, aq më pak për ta”, transmeton Klankosova.tv.

I pyetur se nëse ekzistojnë këto drone dhe cili është roli i tyre nëse janë nga Kosova, Letica për N1 shpjegon: “Ajo që thotë Ana Bërnabiq është legjitime – Serbia po mbron territorin e saj. Por pyetja është se të kujt janë dronët dhe cili është funksioni i tyre dhe çfarë mund të shihnin në kazermë në pozicionet që janë në zonën e sigurisë. Në terma ushtarakë, ato nuk kanë asgjë. Mendoj se tani është fjala për ‘spinet’ e Vuçiqit. Fakti që ata nuk e njohin realitetin se Kosova është shtet i pavarur, dhe qëndrimin ndaj Kosovës dhe rajonit (veçanërisht Malit të Zi, që tani është synimi kryesor i politikës serbe dhe ruse) – Mali i Zi është nën agresionin rrëshqitës të Rusisë dhe synimet pro-serbe si anëtare e NATO-s. Vuçiqi po bën lëvizje për imazhin e brendshëm politik të Serbisë dhe po i fryn muskujt e tij”.

Ai thekson se Rusia ka kohë që po përpiqet të arrijë qëllimet strategjike në këto zona: “Në jug të Nishit është një bazë e madhe që sapo u hap nga Sergej Shoigu, e cila supozohet se është një bazë për situata emergjente për veprime humanitare. Çfarë do të bëjë kjo bazë në Ballkan? Ka pasur një mosmarrëveshje të madhe edhe kur Rusia kërkoi një status ekstraterritorial si një ambasadë për atë bazë. Rusët po përpiqen vazhdimisht ta bëjnë këtë. Si ushtria dhe shërbimi civil serb janë të ndërthurur me ndikimin rus”.

Kujtojmë se gjatë të mërkurës, autoritetet serbe thanë se kanë ngritur të martën nivelin e gatishmërisë ushtarake. Madje të mërkurën u raportua se ushtria serbe rrëzoi një dron, për të cilin u tha se ishte komercial që erdhi nga kufiri i Kosovës.

Institucionet e Kosovës i cilësuan këto pretendime të pavërteta që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Të ngjashme